Pse Rama zgjodhi Esmeralda Hasanin në krye të SHISH? Lindita Çela “zbërthen” CV-në
Esmeralda Hasani është drejtoresha e re e SHISH-it, e cila pason në këtë pozicion Vlora Hysenin, e cila u shkarkua nga detyra pas akuzave për “shpërdorim detyre”.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Lindita Çela ka “zbërthyer” CV-në e drejtueses së re të Shërbimit Informativ.
Në fjalën e saj, Çela tha se, duke lexuar dhe hulumtuar historinë e zonjës Hasani, ka vërejtur shumë dritëhije.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse Rama zgjodhi Esmeralda Hasanin në krye të SHISH-it?
Çela: Kam të paktën tre ditë që po merrem me zonjën në fjalë për të parë CV-në e saj. SHISH-i është një institucion kryesor për Shqipërinë dhe shtetin. Ajo që kam mundur të siguroj nga burime të hapura, zonja ka një CV të pasur sa i përket menaxhimit të projekteve. E gjithë eksperienca e saj është e bazuar te menaxhimi i projekteve, kryesisht duke punuar me projekte të BE-së.
Pastaj më rezulton se ka qenë drejtuese e një sektori në një universitet privat. Shoh që kishte arritur të nënshkruante kontrata bashkëpunimi. Agjencia e Emergjencave Civile në vend ka shumë buxhet, por çdo shqiptar pa se çfarë zjarrfikësje me një tub kishte në Elbasan. Pati dhe viktima.
Më pas, ajo që mund të arrija ishte se të servirej një CV shumë e pastër e zonjës. Bëmë pyetjen: Ore, një person akademik, si ka mundësi që merret me drejtimin e një institucioni diskret dhe me metodologji tjetër pune?
Rakipi: Edhe në vende të tjera të botës ka shumë akademikë në këtë profil.
Çela: Por mua nuk më përkonte. Ka dhe kritere të qarta se si drejtohet. Më pas, burime jozyrtare të thonë që vjen për shkak të një miqësie të zonjës Hasani me ish-drejtoreshën e SHISH-it. Zonja më herët ka qenë në një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Diasporës, që drejtohej nga zoti Majko. Të gjithë njerëzit ma përshkruajnë si person akademik, por me lidhje të forta në PS.
Rakipi: Kështu ka qenë gjithmonë.
Çela: Unë flas në pikëpamjen time.
Rakipi: Ky është një institucion që i ka shërbyer interesit të partisë, jo interesit kombëtar.
Çela: Jozyrtarisht u tha se zonja në fjalë në vitet 2024-2025 ka punuar brenda SHISH-it. Zonja ka disa kontrata me një organizatë italiane dhe ka krijuar raporte për qeverinë shqiptare. Presidenti i Republikës kthen një përgjigje shabllon, por në argumentin që jepte nuk kishte të bënte me zonjën.




