Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u takua në Senatin e Belgjikës me kryetarin e tij, Vincent Blondel.
Në një postim në Facebook, Haxhiu njoftoi se palët biseduan për zgjerimin e marrëdhënieve mes Kuvendit të Kosovës dhe Senatit belg, si dhe për rritjen e bashkëpunimit të grupeve parlamentare të miqësisë.
Të lidhura
None found
Haxhiu tha se i kërkoi Belgjikës ta vijojë mbështetjen për Kosovën në procesin e integrimit evropian. “Kërkova që Belgjika të vazhdojë ta përkrahë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në Këshillin e Evropës”, shkroi ajo.
Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në drejtësi. Haxhiu kujtoi se javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ratifikoi, pa asnjë votë kundër, Traktatin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Belgjikën.
Sipas saj, marrëveshja do t’ua lehtësojë punën hetuesve dhe prokurorëve kur provat ose dëshmitarët gjenden në njërin prej dy shteteve.
Haxhiu nënvizoi se Kosova dhe Belgjika gëzojnë një miqësi të gjatë dhe synojnë ta forcojnë më tej atë përmes bashkëpunimit institucional.








