Emërimi i Hasanit në krye të SHISH, Gjinishi: Vjen nga zyra e kryeministrit, ky është problemi
Emërimi i Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) është komentuar nga analisti Ermir Gjinishi, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi përvojën dhe formimin profesional të saj.
Gjinishi u shpreh se përvoja akademike ka vlerë, por drejtimi i një institucioni si SHISH kërkon mbi të gjitha përvojë në fushën përkatëse dhe jo thjesht një diplomë.
Sipas Gjinishit, pikëpyetja kryesore lidhet me faktin se përse është zgjedhur Hasani, ndërkohë që mund të kishte ekspertë të tjerë me përvojën e nevojshme për këtë detyrë.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për të kaluarën e saj profesionale, duke theksuar se vjen nga zyra e kryeministrit. Sipas tij, ky është një nga problemet kryesore në vend.
“Çështja e përvojës akademike ka vlerë. Zonja, me sa di, ka mbaruar për ligj kombëtar. Por fusha nuk ka nevojë për një diplomë, por për përvojë. Është e vërtetë që në botë zgjidhet edhe ndonjë akademik, por janë raste të veçanta. Po pse nuk kishte ekspertë që ti duhet patjetër të shkosh te kjo zonjë, që nuk i plotëson kushtet? Vjen nga zyrtarët e Kryeministrisë. Dhe tek ne ky është problemi kryesor”, Gjinishi.




