Edhe në sallën e gjyqit, dy protestuesit e arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama nuk i kanë fshehur qëndrimet e tyre. Ata kanë reaguar me thirrjen: “Arrestoni Ramën!”, ndërsa ndodheshin në kafazin e sigurisë në Gjykatën e Durrësit. Pas dëgjimit të palëve, në një seancë, që u zhvillua me dyer të mbyllura për ccështje sigurie, gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë Detyrim paraqitjeje ndaj Albi Demës dhe Edison Likajt, duke e konsideruar të paligjshëm edhe arrestimin e tyre në flagrancë nga Policia e Durrësit.