Aktivisti Lulzim Gjini është përfshirë sërish në një episod dhune gjatë protestës së kësaj të marte para Kryeministrisë. Këtë herë, pas shoqërimit me forcë nga efektivët e policisë, ai ka përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania shihet momenti kur efektivët e kapin Gjinin dhe e shoqërojnë me forcë drejt Komisariatit nr. 1. Por ajo që ndodhi më pas brenda ambienteve të komisariatit është edhe më shqetësuese.
Sipas dëshmisë së një protestueseje, e cila thotë se ka qenë e pranishme dhe ka parë ngjarjen, aktivisti është goditur dhunshëm nga efektivët. Ajo tregon se pak pas mbërritjes së tij në komisariat është kërkuar ambulanca, e cila ka mbërritur në ambientet e këtij institucioni për ta transportuar drejt spitalit.
Edhe pamjet e siguruara nga JOQ Albania tregojnë ambulancën në ambientet e komisariatit dhe momentin kur bëhen përgatitjet për transportimin e Gjinit drejt spitalit.
Ky nuk është episodi i parë i dhunës ndaj aktivistit. Më 24 tetor, gjatë një proteste tjetër, Gjini u filmua i shtrirë në tokë, ndërsa një efektiv i forcave “Shqiponja”, Ardit Kasapi, shihej duke e goditur me shkop gome. Një ditë më vonë, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e Kasapit nga detyra dhe nisjen e hetimit administrativ ndaj tij.
Sot, pavarësisht se protesta ishte paqësore, sipas dëshmitares, Gjini është përballur sërish me dhunë nga efektivët, për të përfunduar më pas në spital.
Dy episode, i njëjti qytetar dhe sërish pamje që kërkojnë përgjigje. Çfarë ndodhi me Lulzim Gjinin brenda Komisariatit nr. 1 dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen që e bëri të nevojshëm transportimin e tij me ambulancë?