Rreth 20 mijë persona marshuan të martën nëpër qendrën e Athinës drejt Ambasadës së SHBA-së, në marshimin e përvitshëm përkujtimor të kryengritjes studentore pro-demokracisë të vitit 1973 në Politeknikun e Athinës. Gjatë aktivitetit pati episode të dhunës së kufizuar, kur të rinj të maskuar sulmuan policinë, shkruan Ekathimerini.
Dy persona mbetën të plagosur gjatë përplasjeve dhe u raportua për të paktën dy arrestime.
Marshimi ishte përgjithësisht paqësor, por pasi protestuesit kaluan pranë ndërtesës së ambasadës, disa demonstrues hodhën gurë dhe sende të tjera drejt forcave të policisë për ndërhyrje të shpejtë, të cilat u kundërpërgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës në rrugën Aleksandras. Një grua mbeti e plagosur.
Pas përfundimit të marshimit, shumica e rrugëve në qendër të qytetit u rihapën për qarkullimin e automjeteve, ashtu si edhe stacionet e metrosë që ishin mbyllur si masë paraprake.
Më herët, dhuna kishte shpërthyer edhe në sheshin Klafthmonos, përgjatë itinerarit të marshimit, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë të rinjtë që hidhnin gurë. Dy persona të dyshuar për pjesëmarrje në trazira u shoqëruan në polici.
Para kësaj, një police mbeti e plagosur pasi të rinj hodhën gurë drejt efektivëve në kryqëzimin e rrugëve Harilaou Tricoupi dhe Feidiou. Ndërkohë, efektivë të tjerë u sulmuan në kryqëzimin e rrugëve Sofokleous dhe Pezmazoglou, por nuk u raportuan të plagosur.
Përpara marshimit të përvitshëm, policia shoqëroi shtatë persona për t’i marrë në pyetje: pesë shtetas grekë dhe dy shtetas të huaj.
Rreth 5 mijë efektivë policie ishin në shërbim në qendër të qytetit. Në vitet e mëparshme, marshimet për Politeknikun janë shoqëruar me akte dhune nga protestues të ekstremit të majtë, të cilët shfrytëzojnë këtë rast për të sulmuar policinë.
Kryengritja studentore pro-demokracisë e vitit 1973 në Politeknikun e Athinës, i njohur zyrtarisht sot si Universiteti Kombëtar Teknik i Athinës, ndodhi më pak se një vit përpara rrëzimit të diktaturës ushtarake në Greqi, e cila sundoi vendin gjatë periudhës 1967–1974.
Ushtria u thirr për të ndërhyrë pasi studentët u barrikaduan për tri ditë në ndërtesën qendrore të universitetit, në rrugën Patission. Forcat ushtarake përdorën një tank për të shembur portat e hekurt të ndërtesës. Të paktën 24 persona u vranë gjatë tri ditëve të kryengritjes, ndërsa qindra të tjerë u arrestuan dhe u torturuan.
Ngjarjet shkaktuan një kundërgrusht shteti, i cili solli në pushtet një regjim edhe më represiv. Junta u rrëzua në fund të korrikut 1974, pasi përpjekja e saj për të përmbysur qeverinë e Qipros dhe për të realizuar bashkimin e ishullit me Greqinë shkaktoi pushtimin turk të Qipros.
Shumë njerëz në Greqi besojnë se qeveria amerikane e asaj kohe kishte mbështetur diktatorët, arsye kjo përse protesta e përvitshme përfundon përpara Ambasadës së SHBA-së.