Një punonjës i Policisë së Kavajës është arrestuar mbrëmjen e së martës, pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të funksionit. 36-vjeçari Andi Cani me banim në Hamallaj të Durrësit u arrestua nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore që ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar një ditë më parë në mungesë nga Gjykata e Durrësit, me kërkesë të prokurorisë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, efektivi dyshohet se përfitonte para në mënyrë të paligjshme, duke përdorur detyrën për të vendosur gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve. Për të njëjtat vepra penale, më parë qe arrestuar në flagrancë edhe një koleg i tij. Në vendimin për arrestimin, gjykata ka vlerësuar se rrethanat e çështjes dhe rrezikshmëria e veprave të dyshuara nuk e justifikonin caktimin e një mase më të lehtë sigurie. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar.