“‘Na filmojnë brenda dhomës dhe na gjuajnë me sende në dritare’, denoncimi për incidentet në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 18.11.2026, 00:56

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese në Qendrën Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve në Babrru, Tiranë, ku pretendon se disa gra që qëndrojnë në këtë institucion po përballen me ngacmime dhe mungesë reagimi nga personeli përgjegjës.

Sipas denoncueses, gjithçka nisi pasi një fëmijë që qëndron në qendër pretendoi se gratë i kishin shkelmuar derën, duke nxitur një tjetër banore të shkonte për t’u kërkuar llogari. Pasi, sipas saj, pretendimi rezultoi i pavërtetë, fëmija është afruar te dritarja e dhomës së tyre me telefon në dorë, duke i filmuar nga jashtë, duke bërtitur fjalën “scam” dhe duke i provokuar.

Qytetarja pretendon gjithashtu se më pas janë hedhur sende në drejtim të dritares, ndërsa në pamjet e dërguara në redaksi dëgjohet një goditje rreth sekondës së 17-të. Ajo ngre shqetësimin se një punonjës i qendrës, i veshur me të zeza dhe i pranishëm në sfond, nuk ka ndërhyrë për të ndaluar situatën.

Përtej incidentit, denoncuesja ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si administrohet qëndrimi në këtë institucion. Ajo pretendon se një familje e ardhur nga jashtë qëndron prej vitesh në qendër, përdor dy dhoma dhe përfiton trajtim të veçantë, përfshirë ushqimin nga stafi. Sipas saj, familja lëviz me një automjet me targa shqiptare dhe anëtarët e saj kanë deklaruar se jetojnë aty prej më shumë se pesë vitesh.

Qytetarja shton se fëmijët e kësaj familjeje nuk ndjekin shkollën prej vitesh, pretendim që kërkon verifikim nga institucionet përgjegjëse. Ajo thotë se fëmija në fjalë ka mbërritur në qendër rreth muajit mars të këtij viti, së bashku me familjen.

Denoncimi ngre pyetje serioze për sigurinë dhe privatësinë e banoreve, por edhe për mënyrën e trajtimit të personave që strehohen në një institucion që financohet me fonde publike dhe mbështetje të Bashkimit Europian. Nëse pretendimet janë të vërteta, është e papranueshme që banoret të ndihen të pambrojtura brenda një qendre që duhet t’u garantojë strehim dhe siguri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit