Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Akademik Fejzullah Krasniqi në krye të ASHAK-ut

Akademik Fejzullah Krasniqi

Akademik Fejzullah Krasniqi

Akademik Fejzullah Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Zgjedhja e tij është bërë të martën në mbledhjen e Kuvendit të Akademisë, të thirrur për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

“Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot më 17 nëntor 2026, mbajti mbledhjen për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë. Kryetar i Akademisë u zgjodh, akademik Fejzullah Krasniqi”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e ASHAK-ut fillimisht nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me procesin e votimit dhe numrin e votave që ka marrë Krasniqi. Më vonë, në rrjete sociale u postua njoftimi se ai është zgjedhur “me 19 vota pro, nga gjithsej 29 vota”. 

“Zgjedhja e akademik Fejzullah Krasniqit në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës shënon fillimin e një mandati të ri drejtues të institucionit më të lartë shkencor dhe artistik në vend. Përvoja e tij e gjatë në kërkimin shkencor, arsimin e lartë dhe drejtimin institucional përbën një bazë të rëndësishme për vazhdimin e veprimtarisë së Akademisë, zhvillimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar dhe fuqizimin e rolit të saj në avancimin e shkencës, të arteve dhe të mendimit akademik në Kosovë”, shkruhet në njoftimin e ASHAK-ut. 

KOHA ka marrë vesh se kundërkandidat për kryetar të ASHAK-ut ka qenë edhe Frashër Demaj. Ka marrë 8 vota.

“Mandat i ri drejtues” nënkupton periudhën katërvjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër, sipas Ligjit për ASHAK-un. Por akademik Krasniqi mund ta mbajë këtë pozitë për rreth 15 muaj, deri në marsin e vitit 2028 kur i mbush 75 vjet. 

Edhe Justina Shiroka-Pula në krye të AShAK-ut synon ndërkombëtarizim e hapje Kulturë Justina Shiroka-Pula në krye të AShAK-ut synon ndërkombëtarizim e hapje

Krasniqi vjen në krye të këtij institucioni pasi Justina Shiroka-Pula, më 6 tetor u zgjodh presidente e Kosovës. Postin e së parës së Akademisë nuk e mbajti as dy vjet. Për t’u bërë kryeakademike nuk kishte pasur kundërkandidat dhe qe votuar me unanimitet. Shiroka-Pula ishte gruaja e parë në krye të AShAK-ut. Kishte paralajmëruar nënshkrimin e disa marrëveshjeve konkrete, të cilat, sipas saj, nuk synonin vetëm projekte vendore, por edhe përfshirjen e Akademisë në iniciativa ndërkombëtare kërkimore. Paraprakisht kishte qenë nënkryetare. Për nënkryetar, Kuvendi i AShAK-ut në zgjedhjet e rregullta për zgjedhjen e Kryesisë së Akademisë, kishte zgjedhur akademikun Fejzullah Krasniqi, që tash është zgjedhur kryetar. Aktualisht ASHAK-u nuk ka nënkryetar. Në njoftimin e këtij institucioni për zgjedhjen është dhënë edhe biografia e detajuar e tij.

“Akademik Fejzullah Krasniqi është një personalitet i shquar i shkencës dhe i arsimit të lartë, me një veprimtari të gjatë akademike, kërkimore, botuese dhe institucionale, veçanërisht në fushën e inxhinierisë mekanike, termodinamikës dhe energjetikës. Kontributi i tij përfshin zhvillimin e mendimit shkencor, përgatitjen e brezave të rinj të studiuesve dhe forcimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të shkencës në Kosovë. I lindur në vitin 1953 në Tygjec të Kamenicës, akademik Krasniqi përfundoi studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977, studimet e magjistraturës në Shkup në vitin 1983 dhe doktoratën në Universitetin e Prishtinës në vitin 1988. Karrierën universitare e filloi si asistent në vitin 1979, duke avancuar në të gjitha thirrjet akademike, deri në zgjedhjen profesor ordinar në vitin 1999”, shkruhet ndër të tjera në biografi. Veprimtaria e tij kërkimore dhe botuese përfshin 105 punime shkencore, 8 tekste universitare dhe 6 vepra monografike, me trajtime të rëndësishme në fushën e proceseve termodinamike, sistemeve energjetike, efikasitetit energjetik, termofikimit dhe analizës eksergjetike. Ndër veprat e tij përfaqësuese veçohen “Termofikimi dhe rrjetet termike” (2010), “Termoelektrocentralet e Kosovës” (2014), “Komfori termik” (2020), “Proceset dhe ciklet termodinamike” (2023) dhe “Eksergjia” (2025). 
“Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh anëtar korrespondent në vitin 2008 dhe anëtar i rregullt në vitin 2012. Në periudhën 2011–2017 ushtroi detyrën e sekretarit të Seksionit të Shkencave të Natyrës, ndërsa më 19 dhjetor 2025 u zgjodh nënkryetar i ASHAK-ut. Ai është gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i redaksisë qendrore të Enciklopedisë Shqiptare dhe kryeredaktor i revistës shkencore ‘Research/Kërkime’ të ASHAK-ut. Kontributi i tij përfshin edhe pjesëmarrjen në redaksinë qendrore të ‘Fjalorit enciklopedik të Kosovës’ (2018)”, shkruhet ndër të tjera në biografi.