Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka hedhur poshtë shqetësimet se vala e ndërprerjeve të shërbimeve teknologjike në Shtetet e Bashkuara gjatë javës së fundit mund të jetë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik.
Duke folur për mediat, Rubio deklaroi se nuk ka asnjë provë që incidentet e regjistruara në sektorë të ndryshëm të teknologjisë, transportit dhe financave të kenë lidhje me njëri-tjetrin.
“Ne nuk jemi nën sulm sistematik. Këto ngjarje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën dhe nuk janë të ndërlidhura”, u shpreh ai.
Rubio pranoi se një sërë incidentesh të njëpasnjëshme kanë krijuar frikë dhe pasiguri te qytetarët amerikanë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një sulm të organizuar apo për një komplot kundër infrastrukturës kritike të vendit.
Megjithatë, sipas tij, të gjitha të dhënat në dispozicion tregojnë se ndërprerjet kanë shkaqe të veçanta dhe nuk lidhen me veprimtarinë e hakerave, aktorëve armiqësorë apo shteteve të huaja.
“Çdo tregues që kemi dëshmon se secila prej këtyre ngjarjeve ka një shpjegim ose shkak që nuk ka të bëjë me një kriminel kibernetik, me një aktor armiqësor apo me një vend tjetër”, deklaroi sekretari amerikan.
Edhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Jay Clayton, kishte dhënë më herët të njëjtin vlerësim në një intervistë për Fox News. Ai tha se ndërprerjet nuk ishin rezultat i një sulmi kibernetik, duke shpjeguar se shumë institucione po përditësojnë dhe modernizojnë sistemet e tyre, proces që ka shkaktuar probleme teknike.
Gjatë javës së fundit, SHBA-të janë përballur me një seri incidentesh që kanë prekur shërbime dhe institucione të rëndësishme.
Problemet nisën me një ndërprerje të gjerë të shërbimeve të Microsoft, përfshirë postën elektronike. Një ditë më pas, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin për më shumë se katër orë, në një nga ndërprerjet më të gjata të këtij lloji që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Sipas autoriteteve të transportit, problemi në sistemin e aviacionit ishte teknik dhe lidhej me përmirësimin e instalimeve me kabllo bakri dhe pajisjet e vjetruara.
Ndërkohë, të hënën, një defekt teknologjik në sistemet e kompanisë United Airlines shkaktoi vonesa në rreth 150 fluturime, ndërsa një problem në softuerin e bankës JPMorgan Chase ndërpreu përkohësisht disa shërbime bankare.
Të martën, probleme u raportuan edhe në shërbimet iCloud dhe Apple Pay, ndërsa një rrjet shumë i klasifikuar që përdoret nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) për komunikimet e brendshme doli përkohësisht jashtë funksionit.
Të gjitha kompanitë dhe institucionet e prekura kanë deklaruar se incidentet nuk kanë ardhur si pasojë e sulmeve kibernetike apo ndërhyrjes së aktorëve të jashtëm.
I pyetur nëse administrata Trump shqetësohet se këto ngjarje mund të nxisin panik te qytetarët, duke çuar deri në grumbullimin masiv të furnizimeve apo tërheqjen e parave nga bankat, Rubio tha se mënyra më e mirë për të shmangur frikën është transparenca e qeverisë dhe informimi i publikut për gjithçka që dihet deri më tani.
© SYRI.net