Edison Pula, i dyshuar nga autoritetet franceze si drejtues i grupit kriminal shqiptar “Nikla”, ka dalë të martën, më 17 nëntor 2026, përpara Gjykatës së Reimsit në Francë.
Paraqitja e tij është shoqëruar me masa të shtuara sigurie, ku për transferimin dhe shoqërimin e tij janë angazhuar edhe forcat speciale të administratës penitenciare franceze, ERIS.
Gjatë seancës është marrë në shqyrtim kërkesa për zgjatjen e paraburgimit të Pulës, i cili dyshohet se kishte rolin drejtues në një grup të përfshirë në një seri grabitjesh të banesave luksoze në disa vende të Europës.
Sipas mediave franceze, grupit “Nikla” i atribuohen rreth 50 grabitje të kryera në Francë dhe Belgjikë. Objektiv i këtyre sulmeve dyshohet se kanë qenë kryesisht vilat dhe rezidencat luksoze të biznesmenëve, futbollistëve, këngëtarëve dhe personazheve të njohur.
Dëmi financiar që dyshohet se ka shkaktuar aktiviteti i grupit vlerësohet në mbi 1 milion euro.
Pula ishte arratisur në vitin 2022 nga burgu i Trevisos në Itali, ndërsa pas disa vitesh në kërkim u arrestua në Luksemburg, në janar të vitit 2025.
Për shkak të dyshimeve për rolin e tij në drejtimin e organizatës kriminale dhe profilit të konsideruar me rrezikshmëri të lartë nga autoritetet, gjatë paraqitjes së tij në gjykatë u aplikua një protokoll i posaçëm sigurie.