Aktivitetet nisin në orën 08:30, me mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të diskutojë për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.

Në orën 09:30, Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese do të organizojë testimin me shkrim të kandidatëve për gjyqtarë të kësaj gjykate, në sallën N-506.

AD PLACEHOLDER

Ndërkaq, në orën 10:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” për vitin 2025. Në këtë mbledhje janë ftuar kryeshefi ekzekutiv dhe kryesuesi i bordit.

Në orën 11:00 janë paraparë tri aktivitete të komisioneve parlamentare.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të presë në takim gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, drejtor i NALT-it në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Po ashtu, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2025.

Aktiviteti i fundit i paraparë në agjendën e ditës do të mbahet në orën 13:00.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të diskutojë për formimin e Panelit Përzgjedhës, i cili do të shqyrtojë aplikacionet dhe do të intervistojë kandidatët për pozitën e Avokatit të Popullit.