E mërkurë, 18 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Protestë kombëtare kundër qeverisë Rama, qytetarët mblidhen para Ministrisë së Arsimit
Lajme

Protestë kombëtare kundër qeverisë Rama, qytetarët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

Tirana do të jetë sërish në qendër të një proteste kundër qeverisë së Edi Ramës. Qytetarë dhe mbështetës të opozitës pritet të mblidhen sot, 18 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, në vijim të aksionit opozitar kundër qeverisë.

Tubimet janë parashikuar të zhvillohen në mënyrë të përsëritur, çdo të mërkurë dhe të shtunë, duke nisur në të njëjtën orë. Organizimi synon të mbajë të gjallë reagimin qytetar dhe presionin ndaj mazhorancës përmes protestave të vazhdueshme në kryeqytet.

Protesta e sotme vjen vetëm një ditë pas një tubimi të shoqëruar me tensione dhe përplasje mes pjesëmarrësve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Episodet e së martës u regjistruan kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pati kundërshtime lidhur me vendin ku duhej të qëndronin protestuesit.

Një pjesë e pjesëmarrësve kërkuan të vijonin tubimin në hapësirën e bulevardit, ndërsa efektivët e Policisë ndërhynë për t’i zhvendosur në trotuar, duke argumentuar se duhej të garantohej qarkullimi i automjeteve, në zbatim të aktit normativ të qeverisë.

Mosbindja ndaj urdhrit të policisë solli përplasje fizike, ndërsa situata u përshkallëzua gjatë shoqërimit të disa protestuesve në komisariat. Mes personave të shoqëruar raportohet se kishte edhe gra, vajza dhe të moshuar.

Pamjet e publikuara nga tubimi treguan momente tensioni, ku disa protestues u përpoqën të pengonin automjetet e policisë që po largonin personat e shoqëruar. Në një tjetër episod, një protestues që mbante një flamur u përplas me efektivët, ndërsa në bulevard u dëgjuan thirrje kundër ndërhyrjes së forcave të rendit.

Gjatë zhvillimeve pati edhe pretendime për përdorim force nga policia gjatë shoqërimeve, të cilat u kundërshtuan nga pjesëmarrësit në protestë.

Protestuesit pretenduan se kishin marrë lejen për zhvillimin e tubimit dhe se ndërhyrja e Policisë cenonte të drejtën kushtetuese për të protestuar. Nga ana tjetër, uniformat blu e justifikuan veprimin me nevojën për të liruar bulevardin dhe për të mos penguar qarkullimin rrugor.

Pas përplasjeve, tubimi i së martës vijoi drejt Sheshit Skënderbej, ku pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar përpara se të shpërndaheshin. Mesazhi i tyre në përfundim të protestës ishte i qartë: “Nesër më shumë”.

Tashmë vëmendja përqendrohet te tubimi i sotëm, ndërsa mbetet për t’u parë se sa qytetarë do t’i përgjigjen thirrjes për protestë dhe nëse zhvillimi i saj do të shoqërohet sërish me tensione me Policinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.