Siguracioni i makinës do të vlejë edhe 15 ditë pas skadimit, por aksidenti ju kushton shtrenjtë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.11.2026, 08:42

Shoferët që harrojnë të rinovojnë në kohë siguracionin e automjetit do të kenë në dispozicion edhe 15 ditë mbulim pas përfundimit të kontratës. Por kjo periudhë, që në pamje të parë duket si një lehtësi për drejtuesit e mjeteve, mund të sjellë një faturë të konsiderueshme në rast se gjatë saj shkaktohet një aksident: pagesën e plotë të primit të sigurimit për vitin pasardhës.

Ky është një nga ndryshimet që propozohet në projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, një nismë e qeverisë që synon të rishikojë rregullat aktuale të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Sipas nenit 8 të projektligjit, kontrata nuk do të humbasë automatikisht efektin në ditën kur i përfundon afati. Përkundrazi, të drejtat dhe detyrimet që burojnë prej saj do të vijojnë edhe për 15 ditë të tjera, përveç rastit kur klienti ka njoftuar kompaninë e sigurimit, të paktën tri ditë përpara skadimit, se nuk dëshiron vazhdimin e kontratës.

Kështu, një policë që përfundon më 30 nëntor do të mundësojë mbulim deri më 15 dhjetor, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në projektligj.

Por përfitimi i këtij afati shtesë shoqërohet me një kusht të rëndësishëm financiar. Nëse gjatë 15 ditëve ndodh një aksident i shkaktuar nga drejtuesi i mjetit, ky i fundit do të detyrohet të paguajë primin e sigurimit për të gjithë vitin e ardhshëm.

Detyrimi përcaktohet në pikën 10 të nenit 8 dhe nuk kufizohet vetëm në pagesën për ditët e mbetura të mbulimit. Pra, edhe nëse aksidenti ndodh vetëm pak ditë pas skadimit të policës, pagesa do të llogaritet për të gjithë periudhën e re vjetore.

Për shembull, një drejtues që ka pasur një siguracion me vlerë 20 mijë lekë në vit dhe shkakton një aksident pesë ditë pas përfundimit të kontratës, do të jetë i detyruar të paguajë primin për vitin pasardhës. Shuma do të përcaktohet sipas tarifës që do të aplikohet për sigurimin e ri.

Nëse kaloni te një kompani tjetër, do të paguani për ditët e mbulimit

Projektligji parashikon gjithashtu se çfarë ndodh në rastet kur qytetari shfrytëzon periudhën 15-ditore për të zgjedhur një kompani tjetër sigurimi.

Sipas pikës 11 të nenit 8, shoqëria me të cilën ka qenë lidhur kontrata e mëparshme ruan të drejtën të kërkojë pagesën për ditët gjatë të cilave ka vijuar të mbulojë automjetin.

Konkretisht, nëse siguracioni përfundon më 30 nëntor dhe pronari i automjetit lidh një kontratë të re me një kompani tjetër më 7 dhjetor, siguruesi i mëparshëm mund të kërkojë pagesën për periudhën gjatë së cilës ka mbajtur në fuqi mbulimin.

Në këtë rast, ndryshe nga situata kur ndodh një aksident, qytetari nuk detyrohet të paguajë një prim të plotë vjetor. Pagesa përllogaritet proporcionalisht me kohën gjatë së cilës kompania e parë ka ofruar mbulim.

Kompanitë e sigurimit do të kenë edhe detyrime raportimi

Një tjetër ndryshim i parashikuar në nenin 8 lidhet me përgjegjësinë e vetë kompanive të sigurimit. Kur konstatojnë se mbulimi i një automjeti ka përfunduar, ato do të duhet të njoftojnë institucionet përgjegjëse për regjistrimin e mjeteve, kontrollin e trafikut rrugor dhe Qendrën e Informacionit.

Ky komunikim duhet të kryhet brenda 15 ditëve nga momenti kur është konstatuar përfundimi i mbulimit.

Në këtë mënyrë, projektligji synon të krijojë një mekanizëm që shmang ndërprerjen e menjëhershme të mbrojtjes për shkak të vonesave në rinovimin e policës, por pa i përjashtuar drejtuesit nga detyrimet financiare.

Pra, 15 ditët shtesë nuk përbëjnë një periudhë sigurimi falas. Ato garantojnë vazhdimësinë e mbulimit, ndërsa mënyra e pagesës varet nga ajo që ndodh gjatë kësaj kohe: nëse shkaktohet aksident, lind detyrimi për primin e plotë të vitit pasardhës; nëse ndërrohet kompania, siguruesi i mëparshëm mund të kërkojë pagesën për ditët e mbulimit.

Këto masa janë pjesë e reformës së sigurimit të detyrueshëm motorik, përmes së cilës qeveria synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit