E pyetën nëse ishte shqiptar dhe më pas e shanë, Vata tregon prapaskenat me lojtarët e Kosovës
Rocco Vata ka zbuluar një prapaskenë interesante nga përballja mes Irlandës dhe Kosovës, e zhvilluar të martën mbrëma në Dublin, ku vendasit triumfuan me rezultat bindës 3-0.
Sulmuesi 20-vjeçar, i cili u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes, tregoi se futbollistët e Kosovës kishin përdorur një taktikë të veçantë për ta shpërqendruar atë gjatë lojës.
Vata, i lindur në Shqipëri dhe që përfaqëson Irlandën, zbuloi se disa prej mbrojtësve të Kosovës i ishin drejtuar në gjuhën shqipe me fjalë fyese, duke tentuar ta provokonin gjatë momenteve të fundit të takimit.
Në një intervistë për Balls.ie pas ndeshjes në stadiumin “Aviva”, ai tregoi se gjithçka kishte ndodhur derisa po përpiqej ta shpërqendronte portierin e Kosovës gjatë një aksioni.

“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha ta shpërqendroja portierin, ata kishin disa gjëra për të thënë. I kuptova”, deklaroi Vata.
Ai më pas zbuloi edhe fjalët që i kishin thënë futbollistët e Kosovës.
“Po, më shanë pak. Më pyetën: ‘A je shqiptar?’ dhe pastaj më fyen. Unë iu përgjigja: ‘Po, mos u shqetësoni’. Njëri prej tyre erdhi dhe kërkoi falje pas ndeshjes, gjë që ishte mirë”, rrëfeu futbollisti i Irlandës./Telegrafi/


































