‘Nuk do qëndroj as në këtë burg’/ Edison Pula mbërrin në gjykatën franceze, godina blindohet si kurrë më parë

‘Nuk do qëndroj as në këtë burg’/ Edison Pula mbërrin në gjykatën franceze, godina blindohet si kurrë më parë

09:55, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Fabrice Curlier, L’UNION

Të maskuar gjithandej! Por ata nuk kishin ardhur për të menaxhuar trazirat në ndonjë protestë.

Të martën në mëngjes, më 17 nëntor, gjykata e Reimsit në Francë u vendos nën masa të rrepta sigurie, me një dislokim të jashtëzakonshëm të ERIS (ekipeve rajonale të ndërhyrjes dhe sigurisë), një njësi elitare e administratës së burgjeve franceze.

Misioni i tyre? Të shoqëronin “mysafirin” e ditës, Edison Pulën, një kriminel shqiptar 31-vjeçar, i akuzuar për kryerjen e rreth 50 vjedhjeve me thyerje në Marne, Nord, Ardennes, Lorraine, rajonin e Parisit dhe Beneluks, nga korriku 2022 deri në dhjetor 2024, me një preferencë të veçantë për vjedhjet në banesa luksoze.

Pilot, reper dhe futbollist

Dëmi i përgjithshëm vlerësohet në rreth 1.5 milionë euro: bizhuteri, ora, artikuj lëkure, veshje firmato, para të gatshme, pajisje multimediale… Njëra prej orëve kishte vlerën e 100 mijë eurove.

Mes viktimave janë sipërmarrës, futbollisti ndërkombëtar i Zimbabvesë, Marshall Munetsi (i cili luajti për Stade de Reims nga viti 2019 deri në vitin 2025), ish-piloti i garës 24 Orët e Le Mans, Frédéric Alliot, si dhe reperi Yanns, interpretues i hitit Clic clic pan pan, publikuar në vitin 2021, i cili ka arritur 182 milionë shikime në YouTube.

Njoftimi i kuq i Interpolit

E kaluara kriminale që i atribuohet Edison Pulës shpjegon masat e sigurisë të ndërmarra nga autoritetet: anëtar i një bande kriminale shqiptare (banda e Niklës); arratisje nga burgu i Trevizos në Itali, ku mbahej i burgosur për rreth 50 vjedhje me thyerje; urdhër kërkimi dhe njoftimi i kuq i Interpolit pas dënimit me 14 vite burg në Shqipëri, në vitin 2016, për “vrasje dhe shkatërrim të pronës me anë të një substance shpërthyese”; kërkesë për ekstradim nga Zvicra, në mënyrë që të gjykohet për “vjedhje” të kryera në kuadër të një “grupi kriminal” në territorin zviceran…

I arratisur nga burgu i Trevizos në qershor 2022, Edison Pula ishte zhdukur nga qarkullimi deri në vitin 2023, kur ADN-ja e tij u zbulua në vendngjarjen e një vjedhjeje me thyerje të kryer në zonën e Reimsit.

I kërkuar nga policitë e gjithë Evropës, ai përfundimisht ishte strehuar te bashkatdhetarë dhe familjarë që banonin në rajonin e Reimsit, i cili në të njëjtën periudhë ishte prekur nga një rritje e vjedhjeve në banesa.

Autoritetet nuk e konsideruan këtë si një rastësi të thjeshtë. Hetimet, të nisura nga kompania e xhandarmërisë së Reimsit dhe më pas të kaluara në seksionin e hetimeve, me bashkëpunimin e Zyrës Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit të Udhëtuar dhe Brigadës së Luftës kundër Banditizmit të Prefekturës së Policisë së Parisit, për shkak të përmasave që mori çështja, zbuluan një grup që vepronte në një zonë të gjerë, deri në Luksemburg.

I ndjekur me helikopter

Pikërisht gjatë një udhëtimi në Dukatin e Madh të Luksemburgut mori fund arratisja e Edison Pulës, në fund të janarit 2025.

Nën vëzhgim dhe i ndjekur me helikopter, ai kishte thyer disa postblloqe policore, përpara se të arrestohej, jo pa përplasur pesë automjete të forcave të rendit.

Në këtë çështje, shtatë burra dhe dy gra janë vënë nën akuzë, të gjithë të lindur në Shqipëri dhe të gjithë të thirrur këtë të martë, më 17 nëntor, përpara gjykatës së Reimsit.

Nuk bëhej fjalë për t'i gjykuar (procesi është planifikuar për janar 2027), por për të zgjatur në mënyrë të jashtëzakonshme paraburgimin e Edison Pulës dhe tre personave të tjerë që ndodhen ende në burg (dy të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij të afërt dhe njëra prej grave).

“Nuk do të qëndroj në burg”

I rrethuar në kafazin e të akuzuarve nga pesë burra të maskuar (pa llogaritur shumë të tjerë në pjesë të ndryshme të gjykatës), Edison Pula, i cili shprehej në një frëngjishte të mirë, kundërshtoi të kaluarën kriminale që i atribuohet nga autoritetet.

Vjedhjet në Zvicër?

— “Nuk janë vjedhje, është përvetësim i sendeve të vjedhura”.

Arratisja nga burgu i Trevizos?

— “Nuk është e vërtetë, unë nuk jam arratisur nga Italia”.

Dënimi me 14 vite burg për “vrasje” në Shqipëri?

— “Ky dënim nuk ekziston më. Ai është anuluar në vitin 2025 nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë”.

I mbajtur në izolim që nga burgosja e tij më 27 janar 2025, Edison Pula denoncon regjimin e jashtëzakonshëm që i është imponuar.

— “Nuk mund t'i imagjinoni vuajtjet, poshtërimet dhe ngacmimet që përjetoj çdo ditë. Më kontrollojnë më shpesh se të tjerët, më bëjnë kontrolle trupore, madje edhe duke më zhveshur plotësisht”.

Për prokurorinë e Reimsit, nuk bëhet fjalë që ai të lirohet. Përmenden gjithashtu dy raportime: Edison Pula dyshohet se u ka përcjellë mesazhin bashkë të pandehurve të tij që të mos flasin më, si dhe se ka bërë këtë premtim: “Nuk do të qëndroj në burg”.

Ai, i cili ishte arratisur më parë edhe nga një komisariat policie në Shqipëri, mohon se i ka thënë këto fjalë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco