E mërkurë, 18 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Falsifikim dokumentesh dhe miliona detyrime të fshehura, Prokuroria çon në gjyq drejtuesit e kompanisë “Nika”
Lajme

Falsifikim dokumentesh dhe miliona detyrime të fshehura, Prokuroria çon në gjyq drejtuesit e kompanisë “Nika”

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim administratoren dhe pronarin e shoqërisë tregtare “Nika” sh.p.k., të cilët dyshohen për përfshirje në vepra penale që lidhen me fshehjen e të ardhurave dhe falsifikimin e dokumenteve.

Për të dy personat është caktuar masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, me qëllim garantimin e pranisë së tyre gjatë procesit penal dhe parandalimin e largimit nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës.

Çështja penale ka nisur në vitin 2025, pas një kallëzimi të depozituar nga një prej ortakëve të kompanisë. Ai pretendoi se vëllai i tij, i cili është gjithashtu bashkëpronar i shoqërisë, kishte falsifikuar nënshkrimin e tij në disa vendime të asamblesë së ortakëve, duke i paraqitur këto akte sikur ishin miratuar dhe firmosur në mënyrë të rregullt.

Sipas kallëzuesit, dokumentet në fjalë nuk ishin nënshkruar apo miratuar prej tij dhe as nuk pasqyronin vullnetin e asamblesë. Ai pretendon se vëllai kishte vepruar në mënyrë të njëanshme, pa dijeninë dhe pëlqimin e tij, duke përdorur nënshkrimin e falsifikuar për t’i dhënë dokumenteve pamjen e akteve të ligjshme dhe për të manipuluar të dhënat tregtare e administrative të kompanisë.

Dy sisteme kontabiliteti dhe dyshime për fshehje të shitjeve

Një tjetër pistë e rëndësishme e hetimit lidhet me mënyrën se si shoqëria “Nika” administronte të dhënat financiare dhe deklaronte aktivitetin e saj ekonomik.

Gjatë kontrollit tatimor në ambientet e kompanisë, autoritetet konstatuan përdorimin e dy sistemeve të ndryshme për mbajtjen e të dhënave kontabël. Në pajisjet kompjuterike ku ruheshin llogaritë e subjektit u identifikuan dy databaza: njëra e emërtuar “Bilance online N”, ku regjistroheshin faturat e brendshme të lëshuara, por të pafiskalizuara, dhe tjetra “Bilanci shpk”, që përmbante faturat e fiskalizuara.

Ky konstatim është bërë pjesë e provave të administruara nga organi i akuzës, pasi dy sistemet ngrejnë dyshime për mbajtjen e regjistrimeve paralele të shitjeve reale dhe deklarimin e një vlere më të ulët të aktivitetit ekonomik përpara autoriteteve tatimore.

Sipas dokumentacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor, detyrimi tatimor në principal i përcaktuar për kompaninë arrin në 11 milionë e 707 mijë e 612 lekë. Shuma rezulton në shkresën zyrtare nr. 7583/3 prot., datë 20 maj 2026.

Ndarja e përgjegjësive penale

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka regjistruar përgjegjësinë penale të dy personave për vepra të ndryshme.

Administratorja A.N. akuzohet për “Fshehjen e të ardhurave”, vepër e parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal. Dyshimet ndaj saj lidhen me administrimin dhe deklarimin e aktivitetit financiar të shoqërisë, si dhe me mbajtjen e regjistrimeve të shitjeve reale paralelisht me deklarimin e vlerave më të ulëta, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Ndërkohë, pronari Ll.N. akuzohet për “Falsifikimin e dokumenteve”, në formën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar, vepër e parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal. Kjo akuzë lidhet me pretendimet për falsifikimin e nënshkrimit të bashkëortakut në vendimet e asamblesë dhe përdorimin e tyre si dokumente të rregullta.

Shoqëria “Nika” sh.p.k. ushtron aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë të artikujve industrialë, bujqësorë, blegtoralë dhe ushqimorë, si dhe në tregtimin e materialeve të ndërtimit, produkteve hidraulike, hidrosanitare dhe elektrike.

Tashmë, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja do të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të personave të marrë të pandehur. Deri në një vendim të formës së prerë, ata prezumohen të pafajshëm.

Njoftimi i plotë;

‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘fshehje e të ardhurave’, Prokuroria e Tiranës jep masa sigurimi dhe dërgon në gjyq administratoren dhe pronarin e ‘Nika’ sh.p.k.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dërgon në gjyq dhe dha masa sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për shtetasen A.N., për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal si dhe për shtetasin Ll.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në formën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar, të parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.8940 të vitit 2025, nisën pas kallëzimit të shtetasit P.N., vëllait të të kallëzuarit si bashkëortakë në shoqërinë tregtare ‘Nika’ shpk., veprimtari e cila përfshin tregtinë me shumicë dhe pakicë të artikujve industrialë, bujqësorë, blegtoralë dhe ushqimorë; materialeve të ndërtimit; materialeve hidraulike, hidrosanitare dhe elektrike; etj.

Sipas kallëzuesit, i vëllai, shtetasi Ll.N. ka përpiluar dhe nënshkruar në emër të tij disa vendime të asamblesë së ortakëve dhe këto dokumente janë paraqitur si vendime të miratuara dhe të nënshkruara nga ortakët. Kallëzuesi deklaron se nuk i ka nënshkruar ose miratuar dhe se përmbajtja e tyre nuk pasqyron vullnetin e asamblesë së ortakëve, në të cilën ai bën pjesë. Sipas tij shtetasi Ll.N. ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, duke falsifikuar nënshkrimet e ortakut dhe përmbajtjen e vendimeve, me qëllim përdorimin e tyre si dokumente të vërteta, për përfitim personal dhe për manipulimin e të dhënave tregtare dhe administrative të shoqërisë “NIKA” sh.p.k.

Gjatë kontrollit tatimor ka rezultuar se shoqëria ka përdorur dy sisteme të mbajtjes së të dhënave kontabël. Në pajisjen kompjuterike ku mbaheshin llogaritë e subjektit janë gjetur “Bilance online N”, për faturat e brendshme të lëshuara dhe të pafiskalizuara, dhe “Bilanci shpk”, për faturat e fiskalizuara.
Në mbështetje të akuzës për fshehjen e të ardhurave është edhe detyrimi tatimor në principal prej 11.707.612 lekësh, i përcaktuar në shkresën nr. 7583/3 prot., datë 20.05.2026, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor.

Në vijim të vlerësimit të akteve të administruara, u urdhërua regjistrimi i emrave të A.N., për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal, dhe Ll.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në formën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar, të parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal. Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor, përcakton detyrimin tatimor në principal në shumën 11.707.612 lekë dhe përgjegjësia që i atribuohet shtetases A.N. në cilësinë e saj si administratore e shoqërisë dhe në administrimin e deklarimin e veprimtarisë së saj. Mbajtja e regjistrimeve të shitjeve reale paralelisht me deklarimin e vlerave më të ulëta, në mënyrë të përsëritur, mbështet dyshimin për fshehje me dashje të të ardhurave, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve tatimore.

Masa e kërkuar synon të pengojë largimin nga territori shqiptar pa autorizim gjyqësor dhe të sigurojë disponueshmërinë e secilit person për procedimin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.