Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në fokus të diskutimeve dhe votimeve është shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare, ndërsa sot do të zhvillohet diskutimi i parë i tyre në sallën e Kuvendit.
Seanca zhvillohet në një klimë tensioni politik, pasi opozita përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh. Aktualisht, 13 deputetë të Partisë Demokratike janë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, mes tyre kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.
Ndërkohë, demokratët pritet të mbledhin grupin parlamentar për të përcaktuar qëndrimin dhe vijimin e aksionit të tyre parlamentar.
Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, në rendin e ditës janë përfshirë edhe projektligjet që parashikojnë ndryshime në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë gjithashtu projektligji për disa ndryshime në ligjin për strehimin social dhe projektvendimi për një ndryshim në vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Seanca përfshin edhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.