Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër mazhorancën gjatë seancës plenare, duke ngritur pikëpyetje mbi projektligjin për strehimin social dhe mënyrën se si po trajtohet procesi i Rindërtimit.
Tabaku akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores parlamentare, duke theksuar se projektligji për strehimin social nuk ishte përfshirë në kalendarin dhe planin e punës, ndërsa opozitës nuk i është dhënë mundësia për ta shqyrtuar dhe diskutuar në komisionet parlamentare.
Duke u ndalur te përmbajtja e nismës, demokratja kundërshtoi kalimin e kompetencave për strehimin te Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe përdorimin e banesave sociale për procesin e Rindërtimit.
Ajo riktheu në vëmendje fondet e shpenzuara për këtë program, duke kërkuar llogari për destinacionin e 1.2 miliardë eurove, ndërsa theksoi se, edhe pas shtatë vitesh, procesi nuk ka përfunduar në disa prej zonave të prekura nga tërmeti.
“Ku shkuan 1.2 miliardë euro? Kanë kaluar shtatë vite dhe Rindërtimi nuk ka përfunduar. Kontratat janë në shkelje të ligjit. Sa herë ka tërmete dhe fatkeqësi, ndodh kjo. Përfshihen në buxhet për tendera”, deklaroi Tabaku.
Deputetja përmendi konkretisht zonat e 5 Majit dhe Kombinatit, ku sipas saj, qytetarët vijojnë të presin banesat e tyre. Ajo iu referua edhe konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e cilësuar programin e Rindërtimit si një nga aferat më të mëdha korruptive.
Tabaku akuzoi gjithashtu mazhorancën se po e përdor projektligjin për strehimin social për interesa elektorale, duke pretenduar se shpërndarja e banesave dhe fondeve po lidhet me afrimin e zgjedhjeve.
“Duhen shpërndarë paratë sepse po vijnë zgjedhjet. Po përdoren si mall elektoral”, u shpreh ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama, duke ironizuar praninë e tij në Kuvend dhe duke e akuzuar se merr pjesë në seancat parlamentare vetëm kur i nevojiten votat e deputetëve.
“Meqë e kemi këtu Ramën, sepse vjen në sallë sa herë ka nevojë për vota”, deklaroi deputetja demokrate.












