Nico Paz po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në Argjentinë, ku tifozët kanë filluar ta shohin si pasardhësin e Lionel Messit në Kombëtare. Talenti 22-vjeçar i Como-s, i formuar në akademinë e Real Madridit, po kalon një periudhë të shkëlqyer dhe paraqitjet e tij kanë rritur pritshmëritë për të ardhmen e përfaqësueses albiceleste.
Që nga debutimi me ekipin e parë të Argjentinës në vitin 2024, në ndeshjen ndaj Bolivisë, Paz ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Në një periudhë kur Lionel Messi po i afrohet fundit të aventurës me fanellën kombëtare, tifozët kanë nisur ta identifikojnë mesfushorin ofensiv si një nga emrat që mund të marrë përgjegjësi të mëdha në skuadër.
Paraqitja e tij e fundit në miqësoren ndaj Kosta Rikës, ku realizoi dy gola, përfshirë një realizim spektakolar pas një aksioni individual, ka ndezur entuziazmin e tifozëve argjentinas.
Megjithatë, trajneri Lionel Scaloni ka kërkuar që të mos krijohet një presion i tepruar mbi talentin e ri. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku argjentinas dha një mesazh të qartë, duke theksuar se Paz nuk duhet të mendojë se ka përgjegjësinë për t’i fituar ndeshjet i vetëm.
“Duhet t’i bëjmë të kuptojë se nuk do t’i fitojë ndeshjet i vetëm”, deklaroi Scaloni.
Më tej, trajneri theksoi se suksesi i Messit me Argjentinën nuk erdhi vetëm nga cilësitë individuale, por edhe nga mbështetja e bashkëlojtarëve.
“Është skuadra ajo që fiton ndeshjet. Sigurisht, ka momente të veçanta, si shkëndijat e talentit që tregoi sot, kur shfaq gjithçka që ka në repertorin e tij. Dhe ai ka shumë për të ofruar. Por skuadra vjen e para, individi më pas”, u shpreh ai.
