E mërkurë, 18 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Berisha: Ky është buxheti i vjedhjes, Suel Çela deklaroi se paguan rroga ministrash
Lajme

Berisha: Ky është buxheti i vjedhjes, Suel Çela deklaroi se paguan rroga ministrash

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer në akuza ndaj qeverisë gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027 dhe Paketën Fiskale, duke e cilësuar buxhetin e propozuar si një mekanizëm që, sipas tij, favorizon korrupsionin dhe rëndon më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha ngriti pretendime për lidhje mes zyrtarëve të lartë dhe personazheve të botës së krimit të organizuar, duke përmendur në mënyrë të veçantë emrin e Suel Çelës. Ai iu drejtua përfaqësuesve të mazhorancës me pyetjen nëse kishin përfituar para prej tij, duke iu referuar deklarimeve që, sipas kreut të PD-së, janë bërë për pagesën e pagave të ministrave.

“Ju mblidheni këtu si banda e Lalzit. A e kuptoni ju se çfarë përshtypje keni bërë tek shqiptarët? A e kuptoni ju se çdo gjë mund të dukeni, por zyrtarë nuk jeni më? A e kuptoni që Padrino të gjithë fjalën e kishte kundër jush se po i vjen fundi? A e kuptoni ju se Suel Çela deklaroi se paguaj rroga ministrash, dhe më duket të ka paguar ty, a të ka paguar apo jo?”, deklaroi Berisha.

Ai vijoi sulmet ndaj qeverisë, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj dhe duke e akuzuar për mbrojtje të korrupsionit. Në fjalën e tij, kreu i opozitës përmendi edhe raportin e Bashkimit Evropian, duke iu referuar kritikave për problematikat që lidhen me korrupsionin dhe zyrtarët e lartë.

Berisha: Të ardhurat rriten, por shqiptarët po varfërohen

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, Berisha ia kushtoi situatës ekonomike dhe fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, duke iu referuar të dhënave të Eurostat-it.

Sipas tij, rritja e të ardhurave nominale nuk po përkthehet në një përmirësim real të mirëqenies, pasi niveli i lartë i çmimeve po konsumon fuqinë blerëse të qytetarëve.

Berisha argumentoi se Shqipëria ka një nivel çmimesh që, sipas shifrave të përmendura prej tij, arrin në 110% të mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa për Maqedoninë e Veriut ky tregues është rreth 60%.

Ai pretendoi se diferenca mes të ardhurave dhe kostos së jetesës po e vendos Shqipërinë në një pozicion të pafavorshëm për konsumatorët, pavarësisht rritjes së disa treguesve ekonomikë.

“Eurostat deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar. A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo? Sepse janë pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milionë e 200 mijë shqiptarë”, u shpreh ai.

Më tej, kreu i PD-së e lidhi nivelin e çmimeve me kursin e këmbimit të lekut ndaj valutave të huaja dhe me atë që ai e cilësoi si ndikim të parave të paligjshme në ekonomi.

Sulmi ndaj Paketës Fiskale: Do të rëndoni edhe më shumë qytetarët

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha kundërshtoi drejtimin e politikës fiskale të qeverisë, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara do të sjellin, sipas tij, rritje të mëtejshme të taksave dhe çmimeve.

Ai e cilësoi projektbuxhetin si një buxhet që nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve, ndërsa akuzoi mazhorancën se po përdor fondet publike në një kohë kur familjet shqiptare përballen me kosto të larta jetese.

“Pra, çfarë do u bëni ju më keq shqiptarëve se tani t’ua rrisni dhe taksat? Se tani t’ua rrisni edhe më tej çmimet. Çmimet janë 110 përqind të mesatares evropiane. Tani me këtë paketë do t’i përzini prapë”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës e mbylli fjalën me një tjetër sulm të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë, duke kërkuar largimin e saj dhe duke e akuzuar për përgjegjësi në përkeqësimin e situatës ekonomike dhe politike në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.