Parfumet e Beckham përfundojnë në pompa benzine, nis beteja 41 milionëshe
Kompania e ish-futbollistit anglez ka paditur gjigantin e parfumeve Coty, duke pretenduar se shitja e produkteve të markës Beckham në pika të lira tregtare ka dëmtuar imazhin luksoz të brendit.
David Beckham është përfshirë në një betejë ligjore për parfumin që mban emrin e tij, pasi kompania e tij tregtare, DB Ventures, ka ngritur padi ndaj gjigantit gjerman të kozmetikës Coty, duke kërkuar të paktën 41 milionë dollarë dëmshpërblim.
Sipas dokumenteve të padisë, kompania e Beckham pretendon se Coty ka shkelur marrëveshjen e licencimit duke lejuar shitjen e parfumeve të tij në dyqane me çmime të ulëta dhe madje në një pikë karburanti, ku produktet thuhet se ishin vendosur në një kuti me artikuj të zbritur.
Ndër pikat ku pretendohet se janë shitur parfumet përmendet edhe zinxhiri britanik Poundland, i njohur për produktet me çmime të lira.
DB Ventures argumenton se këto praktika kanë dëmtuar imazhin e markës David Beckham, e cila është promovuar ndër vite si simbol i stilit, elegancës dhe luksit të përditshëm.
Në padinë e paraqitur në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut, kompania pretendon se produktet janë shitur përmes kanaleve të paautorizuara, në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes mes palëve.
Nga ana tjetër, Coty i ka kundërshtuar akuzat dhe ka kërkuar nga gjykata rrëzimin e padisë. Kompania pretendon se gjykatat e Nju Jorkut nuk kanë juridiksion mbi këtë çështje dhe se padia synon t'i japë fund para kohe marrëveshjes së licencimit, në mënyrë që kontratat e parfumeve të kalojnë te kompania rivale Interparfums.
Coty ka deklaruar se i kundërshton fuqishëm pretendimet dhe se nuk do të komentojë më tej për shkak se çështja është në proces gjyqësor.
Bashkëpunimi mes Beckham dhe Coty për prodhimin dhe shpërndarjen e parfumeve daton prej vitesh, ndërsa produktet përfshijnë linja të njohura si Classic, Instinct, Intimately dhe Exquisite Leather.
Ndërkohë, Interparfums ka njoftuar se do të marrë përgjegjësinë globale për parfumerinë e markës David Beckham nga 1 prilli 2028, sipas marrëveshjes së re të licencimit.
Çështja pritet të ndiqet me interes, pasi përtej kërkesës prej 41 milionë dollarësh, në qendër të saj është edhe vlera tregtare e një marke që Beckham ka ndërtuar për vite me radhë jashtë fushave të futbollit.















