Rama tallet me Berishën: Sali po të bien pantallonat, ik tani!
Seanca plenare e kësaj të mërkure u shoqërua me një tjetër përplasje verbale mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në përfundim të fjalës së Berishës, teksa ky i fundit po drejtonte akuza ndaj qeverisë dhe mazhorancës për korrupsionin, zgjedhjet dhe administrimin e fondeve publike, Rama reagoi nga vendi me një batutë që tërhoqi vëmendjen në sallë.
“Sali, po të bien pantallonat, ik tani”, dëgjohet t’i drejtohet kryeministri liderit të opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kishte vënë në pikëpyetje legjitimitetin e mazhorancës për të diskutuar dhe miratuar Buxhetin e vitit 2027, duke pretenduar se pushteti ishte siguruar përmes zgjedhjeve të manipuluara dhe se qeveria kishte mbrojtur korrupsionin.
“Banda e Lalzit, çdo gjë mund t’u dukeni shqiptarëve, vetëm zyrtarë nuk ju dukeni më. Nuk keni asnjë të drejtë të merreni me buxhet ju, nuk keni legjitimitet, keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së vijoi me akuza për abuzime me paratë publike, duke e cilësuar buxhetin si një dokument që, sipas tij, nuk pasqyron realitetin ekonomik të qytetarëve.
“Çfarë buxheti do të miratoni ju, 10 miliardë vjedhje. A e dini se Eurostati deklaroi se të ardhurat janë rritur dhe varfëria është shtuar? Shqiptarët blejnë me çmime që janë 110% të çmimeve europiane”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin për lidhje me kartelet dhe pretendoi se politikat ekonomike të qeverisë po rëndojnë gjendjen e qytetarëve. Në përfundim, ai paralajmëroi largimin e mazhorancës nga pushteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



