Policia belge ka zhvilluar një operacion kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit, duke zbuluar disa plantacione dhe arrestuar gjashtë shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal.

Operacioni u zhvillua më 9 nëntor, ndërsa sipas mediave vendase, autoritetet ushtruan kontrolle në pesë banesa në zonat Etterbeek, Evere, Leuven, Overijse dhe Tervuren.

Gjatë kontrolleve u zbuluan tri plantacione të pajisura për kultivimin profesional të kanabisit, dy prej të cilave ishin plotësisht funksionale. Policia sekuestroi mbi 2 mijë bimë kanabisi, rreth 55 kilogramë lëndë narkotike të korrur, si dhe më shumë se 17 mijë euro para të gatshme.

Pas ndërhyrjes, të gjitha ambientet e përdorura për kultivimin e drogës u çmontuan, ndërsa sasia e sekuestruar e kanabisit do të asgjësohet.

Në kuadër të operacionit u arrestuan gjashtë shqiptarë të moshave nga 29 deri në 57 vjeç. Të dyshuarit dolën përpara gjyqtarit hetues, i cili vendosi që ata të qëndrojnë në paraburgim.

Sipas raportimeve të mediave belge, përfshirja e shtetasve shqiptarë në aktivitetet e paligjshme të kultivimit të kanabisit ka qenë objekt i disa hetimeve të mëparshme në vend.

Në dhjetor të vitit 2025, një gjykatë në Bruksel dënoi me burg 10 shqiptarë për kultivim të paligjshëm të kanabisit. Ndërkohë, një investigim i përbashkët i mediave Knack, Le Soir dhe RTBF, i publikuar në qershor të vitit 2026, evidentoi shqetësime lidhur me shtrirjen e rrjeteve kriminale shqiptare në territorin belg.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shtrirjen e plotë të rrjetit të dyshuar kriminal, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet.