Aktualitet

Laboratori i kokainës në Frakull të Fierit, lihet në fuqi arresti me burg për 49-vjeçarin Margjoni!

Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Kevin Margjonin, i akuzuar si një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikimit të 485 kilogramëve kokainë, të sekuestruara në vitin 2022 në Frakull të Madhe të Fierit.

Margjoni, 49 vjeç, u arrestua në Spanjë në maj të vitit 2026 dhe u ekstradua në Shqipëri dy ditë më parë. Pas mbërritjes në vend, ndaj tij është konfirmuar masa e sigurisë e caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme.

Në mars 2026, GJKKO e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj tij masën “Arrest në burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.

Sipas hetimeve, Margjoni dyshohet se ka pasur rolin e një prej financuesve dhe negociatorëve në trafikun e 485 kilogramëve kokainë, e cila u zbulua nga policia në vitin 2022, e fshehur në thasë me pleh kimik në fshatin Frakull e Madhe, në Fier.

Sekuestrimi i sasisë së madhe të drogës ishte pjesë e një prej operacioneve të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ndërsa hetimet synuan identifikimin e personave që qëndronin pas financimit dhe organizimit të ngarkesës.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.