Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit 2027, kryeministri Edi Rama foli edhe për ndryshimin e skemës së bonusit të bebes. Nga korriku 2027, mbështetja për familjet do të vijojë derisa fëmija të mbushë 5 vjeç.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te pensionistët duke thënë se pavarësisht vështirësive, do të dyfishohet bonusi për ta.
“Këta honxhobonxhot këtu kujtojnë se mund t’i torollisin pensionistët me kokëposhtë. Por pensionistët e dinë se si është të rrisësh ekonominë me mund. Ndërkohë, realiteti i tyre është ende shumë i vështirë. Kanë kontribuar për vendin shumë më tepër se këta që ikën dhe plot të tjerë që kanë ikur më parë.
Ne nuk mund të mbetemi te entuziazmi për rritjen ekonomike. Ne i qëndrojmë detyrimit tonë ndaj tyre. Por edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por rriten me ekonomi. Nga janari do ta dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe do t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim krahasimisht me vitin e parë të këtij procesi. Janë 20 miliardë në këtë buxhet që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes. Indeksimi afrohet në muajin prill dhe është një fond shtesë prej 4 miliardësh…
Është koha që të ndahen kategoritë: apartamentet e dyta janë një gjë, vilat në bregdet janë një gjë tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për makinat e luksit, ashtu sikundër për ne mbetet e rëndësishme që të rinjtë të kenë më shumë mundësi të ndërtojnë jetën këtu, duke mos pasur frikë të krijojnë një familje për shkak të pamundësisë për të pasur një strehë.
Kemi ndryshuar një politikë, duke propozuar që, nga 1 korriku, familjet të marrin një ndihmë të shtrirë në kohë, që nga bonusi i bebes e derisa fëmija të mbushë 5 vjeç.
Studentët që vijnë nga familjet në nevojë, ndihma do të shkojë nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj dhe do të shtrihet edhe në nivelin master”, tha ai.
