Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë tha se papunësia ka rënë me 10%, teksa shtoi se paga mestare është rritur në 967 euro.
Rama nënvizoi më tej se “investimet e huaja kanë prekur nivele historike”, teksa nënvizoi se “potenciali për të rritur ato ende shumë më tepër, është shumë e qartë që nuk ju pëlqen të gjithëve. Nuk ju pëlqen të gjithëve këtu, nuk ju pëlqen të gjithëve përtej kufijve të Shqipërisë”.
Kreu i qeverisë tha se kemi në “buxhet më të madh se asnjëherë dhe, siç thashë, një borxh publik më të ulët se asnjëherë qysh se ne morëm detyrën”.
“Kjo do të thotë që Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike, që nuk është një shifër e hedhur në letër, por është një mundësi e re për të bërë më shumë për njerëzit”, tha Rama.
Por nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne jemi shumë të vetëdijshëm që një ekonomi që rritet nuk do të thotë automatikisht se çdo familje e ndjen njësoj rritjen”.
“Përkundrazi, zhvillimi i shpejtë, transformimi i madh, sjell me vete edhe një paradoks që ne tanimë e kemi edhe më të qartë falë edhe mobilizimit të qytetarëve në javët e para të qershorit. Rriten pagat, por rriten dhe pritshmëritë, rriten të ardhurat, por rriten edhe kërkesat, rritet aktiviteti ekonomik, por në tregun e banesave, në qiratë, në çmimet e produkteve të përditshme, krijojnë presione të reja që rëndojnë drejtpërdrejt mbi familjet më të zakonshme”, tha ai.
Rama theksoi se ekonomia është një fuqi që duhet ta bëjë jetën më të mirë njerëzve të vendit ku ajo fuqi rritet.
“Dhe pikërisht ky është thelbi i buxhetit 2027, dhe pikërisht ky është thelbi i këtij mandati të katërt. Dhe pikërisht këtu është rasti për të kujtuar se programi ynë qeverisës i këtij mandati, Shqipëria në Bashkimin Europian në 2030, është pazgjidhshmërisht i lidhur me Shqipërinë ku shqiptarët ndihen familjarisht më të fortë në ekonominë e tyre këtu në Shqipëri”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, sot është mundësia që falë reformave dhe punës e përpjekjeve të mëdha, të bëhen lehtësime që nuk i bënin dot deri dje.
“E përsëris, jo se nuk donim, por se nuk mundnim. Dhe sot ne vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore: për bukën, për qumështin, për miellin, për vezët, për mishin, për peshkun, për vajin, frutat, perimet, ushqimet bazë për foshnjat dhe tjera produkte të konsumit të përditshëm”, tha ai.
Sipas tij, ky është “një lehtësim që, e thënë ndryshe, lë rreth 150 milionë euro çdo vit në arkën e familjeve, 150 milionë euro të cilat ndryshe do të vinin në buxhetin e shtetit, drejtpërdrejt, përmes çmimeve të ulura falë uljes, domethënë, të TVSH-së”.
Rama shtoi se nuk po ulet TVSH që diferencën ta fusin në xhep tregtarët, ndërkohë që familjet të vazhdojnë të paguajnë njësoj logjikën e kapitalizmit.
Prandaj kjo masë, shtoi ai “do të shoqërohet edhe me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve, e cila ka filluar të na jep rezultate inkurajuese dhe të mekanizmave të transparencës dhe të kontrollit të tregut”.
“Sepse prova e vërtetë e kësaj politike të re nuk do të jetë përqindja që ne shkruajmë në ligj, por do të jetë çmimi që qytetari do të shohë në raftin e dyqanit”, tha ai.

