Von der Leyen propozon kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, financimi përmes borxhit të përbashkët evropian
Brukseli synon të mbulojë pjesën më të madhe të nevojave financiare të Kievit për vitin 2027, ndërsa shlyerja e kredisë parashikohet të bëhet përmes dëmshpërblimeve që Rusia mund t'i paguajë Ukrainës për dëmet e luftës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të financohet përmes borxhit të përbashkët të Bashkimit Evropian.
Sipas Reuters, kjo shumë synon të mbulojë rreth dy të tretat e deficitit financiar prej 70 miliardë eurosh që Ukraina pritet të përballet gjatë vitit 2027, ndërsa vazhdon luftën kundër agresionit rus.
Von der Leyen deklaroi se Ukraina do të duhet ta shlyejë kredinë vetëm pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet për shkatërrimet e shkaktuara nga lufta.
Pjesa tjetër e financimit pritet të sigurohet nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kievit.
Plani parashikon përdorimin e huamarrjes së përbashkët evropiane, që do të thotë se vendet anëtare do të mbajnë përgjegjësi për kostot e interesit të kësaj skeme.
Propozimi duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa vjen në një kohë kur Brukseli po përpiqet të sigurojë mbështetje afatgjatë financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Nisma synon gjithashtu të forcojë pozitën e Kievit në negociatat e ardhshme për përfundimin e luftës me Rusinë.















