Shqipëria bëhet pjesë e projektit të Inter, krijohet akademia zyrtare zikaltër për talentet e rinj
Një projekt i ri pritet t’i japë një shtysë të rëndësishme zhvillimit të futbollit të moshave në Shqipëri. Klubi italian i Inter-it do të sjellë në vendin tonë akademinë e tij zyrtare, përmes projektit Inter Academy Albania.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili njoftoi se hapi i parë drejt realizimit të kësaj nisme është hedhur me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi mes ministrisë, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania.
Sipas marrëveshjes, ministria do të ofrojë mbështetjen institucionale, ndërsa FSHF-ja do të vërë në dispozicion infrastrukturën sportive për nisjen e akademisë në Tiranë.
Përmes kësaj nisme synohet që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të përfitojnë nga metodologjia e stërvitjes dhe standardet e formimit sportiv të një prej klubeve më të njohura të Italisë. Në projekt parashikohet përfshirja e specialistëve të Inter-it, si dhe trajnimi i trajnerëve vendas.
Akademia do të krijojë mundësi për qindra të rinj, përfshirë edhe talentet nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe rajoni. Përveç përgatitjes sportive, vëmendje do t’i kushtohet edhe edukimit, rezultateve shkollore, programeve të bursave dhe rritjes së pjesëmarrjes së vajzave në futboll.
Gonxhja ka sjellë në vëmendje edhe eksperiencën e Gjeorgjisë, ku përmes këtij programi janë formuar katër futbollistë që më pas kanë përfaqësuar kombëtaren e vendit.
Një bashkëpunim që synon të afrojë futbollin shqiptar me standardet ndërkombëtare dhe t’u hapë dyert talenteve të rinj drejt një formimi më cilësor.




