Shqipëria pajiset me HIMARS, Nufi: Forcat e Armatosura do të kenë aftësi për goditje precize në distanca të gjata
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas miratimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit të shitjes së mundshme të dy sistemeve të artilerisë raketore M142 HIMARS për Shqipërinë. Nufi e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se pajisja me këto sisteme do të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.
“Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS. Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Paketa e propozuar, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, përfshin edhe municione, trajnim për ushtarakët shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve. Për financimin e saj parashikohet një kredi nga programi amerikan i financimit ushtarak – FMF.
E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”, tha Nufi.
Shqipëria ka kërkuar blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Paketa e propozuar ka një vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh dhe përfshin, përveç dy sistemeve HIMARS, edhe 12 module raketore të drejtuara GMLRS, me gjithsej 72 raketa të kategorive M31A2 dhe M30A2.
Në paketë parashikohen gjithashtu trajnimi i personelit ushtarak shqiptar, municionet dhe mbështetja për mirëmbajtjen e sistemeve. Financimi pritet të realizohet përmes një kredie nga programi amerikan i Financimit të Huaj Ushtarak (FMF).
Sistemet HIMARS prodhohen nga kompania amerikane Lockheed Martin dhe janë pjesë e kapaciteteve moderne të artilerisë raketore me precizion të lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



