Bizneset në Shqipëri do të përballen me një detyrim të ri administrativ, i cili parashikon certifikimin e përvitshëm të aktivitetit ekonomik dhe vendosjen e gjobave deri në 60 mijë lekë për mosrespektimin e afateve. Në raste të caktuara, subjektet rrezikojnë edhe pezullimin e veprimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndryshimet janë pjesë e ligjit nr. 118/2026, të miratuar sëfudmi nga Kuvendi.
Ligji ndryshon procedurat e regjistrimit të bizneseve, duke i dhënë Dhomës Ekonomike Kombëtare kompetencën për identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE).
Ky kod përcakton aktivitetin kryesor dhe, sipas rastit, veprimtaritë e tjera që ushtron një subjekt tregtar.
Sipas ndryshimeve, çdo biznes i regjistruar në QKB do të duhet të pajiset me certifikatën përkatëse të aktivitetit ekonomik, e cila do të lëshohet nga Dhoma Ekonomike Kombëtare.
Certifikimi nuk do të jetë një procedurë që kryhet vetëm një herë, por do të kërkojë konfirmim periodik çdo vit.
Neni i ri 43/1 përcakton se subjektet janë të detyruara të deklarojnë dhe konfirmojnë Kodin NVE, duke depozituar certifikatën e re jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga përfundimi i afatit njëvjeçar të certifikatës së mëparshme.
Për bizneset që regjistrohen për herë të parë, procedura do të jetë ndryshe.
Subjekti mund të pajiset fillimisht me NIPT, edhe pa pasur certifikatën e Dhomës Ekonomike Kombëtare, por duhet ta depozitojë këtë dokument në portalin e-Albania brenda 30 ditëve kalendarike nga regjistrimi.
Nëse certifikata nuk dorëzohet brenda këtij afati, QKB-ja do ta kalojë automatikisht biznesin në statusin “i pezulluar”, deri në plotësimin e detyrimit.
Ndërkohë, për subjektet ekzistuese, që nuk janë certifikuar më parë, procedurat dhe afatet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjoba 60 mijë lekë për mosrespektimin e detyrimeve
Ligji parashikon sanksione financiare për bizneset që nuk përmbushin detyrimin e certifikimit vjetor.
Sipas ndryshimeve në nenin 74 të ligjit për regjistrimin e biznesit, mosrespektimi i detyrimeve për konfirmimin vjetor të Kodit NVE dënohet me gjobë prej 60 mijë lekësh.
E njëjta gjobë parashikohet edhe për mosrespektimin e detyrimeve që lidhen me certifikimin dhe regjistrimin e ndryshimeve të aktivitetit ekonomik.
Përveç gjobës, subjekteve u pezullohet e drejta për të kryer veprime në regjistrin tregtar, deri në saktësimin dhe certifikimin e kodit përkatës.
Kufizimi hiqet pas depozitimit të certifikatës dhe përditësimit të të dhënave në regjistër.
Ndryshimet sjellin kështu një procedurë shtesë për bizneset, të cilat do të duhet të kujdesen jo vetëm për regjistrimin fillestar të aktivitetit, por edhe për konfirmimin e tij çdo vit.
Një element i rëndësishëm është se kompetenca për certifikimin e aktivitetit ekonomik i kalon Dhomës Ekonomike Kombëtare, ndërsa QKB-ja do të administrojë regjistrimin dhe zbatimin e masave administrative.
Kjo ngre edhe çështjen e kostove që mund të krijojë procedura e re për subjektet tregtare, veçanërisht për bizneset e vogla, në varësi të tarifave dhe mënyrës së organizimit të shërbimit.
Kur fillon zbatimi?
Megjithëse ligji është botuar në Fletoren Zyrtare, detyrimet për certifikimin e Kodit NVE dhe sanksionet përkatëse nuk fillojnë automatikisht të zbatohen.
Dispozitat kalimtare përcaktojnë se funksionet e Dhomës Ekonomike Kombëtare do të hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit të posaçëm për këtë institucion.
Gjithashtu, zbatimi i procedurave të certifikimit dhe i gjobave kushtëzohet nga plotësimi i kërkesave teknike të sistemit dhe ndërveprimi ndërmjet institucioneve.
Këshilli i Ministrave duhet të miratojë edhe aktet nënligjore që përcaktojnë mënyrën e certifikimit, afatet dhe procedurat për bizneset.
Për rrjedhojë, bizneset nuk kanë ende një detyrim të menjëhershëm për të paraqitur certifikatën e re, por me funksionalizimin e sistemit do të përballen me një procedurë të përvitshme, mosrespektimi i së cilës mund të sjellë gjoba dhe kufizime në QKB.

