Shorti i kualifikueseve, Armand Duka i ka të qarta ekipet që duhen shmangur!

18 Nëntor 2026
12:16
Telesport
back button

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median kosovare “Telegrafi”, ku ka folur për ecurinë e Kombëtares në Ligën e Kombeve, rikthimin në Ligën B dhe objektivat për eliminatoret e EURO 2028.

Jam i kënaqur që u renditem të parët dhe arritëm objektivin që kishim vendosur. Dua të përgëzoj futbollistët dhe stafin për impenjimin dhe seriozitetin me të cilin e përballuan këtë edicion. Edhe kur je favorit, duhet ta dëshmosh në fushë dhe ta meritosh çdo fitore.

Megjithatë, vendi i parë nuk do të thotë se gjithçka ishte perfekte. Duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarëve, do të kisha dashur që ky edicion të na kishte shërbyer edhe për t’u dhënë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj. Krahas arritjes së objektivit, duhet të punojmë vazhdimisht për të zgjeruar alternativat dhe për të përgatitur të ardhmen e Kombëtares.

Për mua, Shqipëria e ka vendin në Ligën B dhe duhet të ketë ambicien të luftojë për Ligën A. Zbritja në edicionin e kaluar ishte e dhimbshme, në një grup ku deri në fund ishim në garë për gjithçka. Na kushtuan veçanërisht ato 45 minuta të këqija kundër Ukrainës. Këtë herë reaguam dhe u rikthyem aty ku besoj se meritojmë të jemi.

Sa i përket play-off-it, është një mundësi që ka vlerën e vet, por nuk dua ta ndërtojmë objektivin tonë rreth tij. Ne duhet të synojmë kualifikimin në EURO 2028 përmes eliminatoreve. Kemi besim te skuadra dhe duhet të hyjmë në atë garë me këtë ambicie. Le të presim shortin dhe të përgatitemi për ta arritur.

Besoj te kjo skuadër. Kemi futbollistë me cilësi, përvojë ndërkombëtare dhe të rinj që mund të na japin edhe më shumë në të ardhmen. Kemi kapacitetet për të luftuar për një tjetër kualifikim, por duhet t’i shprehim ato me vazhdimësi në fushë.

Askush nuk të shtron tapetin e kuq për në Evropian. Duhet të djersitesh, të luftosh për çdo pikë dhe të besosh deri në fund. Nuk ka kundërshtarë që mund t’i marrësh lehtë dhe as kualifikim që fitohet vetëm nga emrat që ke në skuadër.

Të presim shortin, të njohim kundërshtarët dhe të përgatitemi me seriozitet. Respekt për këdo që do të kemi përballë, por edhe besim te vetja dhe te objektivi ynë.

Për tifozët është gjithmonë kënaqësi të shohin në Tiranë kombëtaret dhe futbollistët më të mëdhenj të Evropës. Për mua, dëshira e parë është një short që na jep sa më shumë mundësi për t’u kualifikuar.

Nëse do të mund të zgjidhja, do të preferoja të shmangnim Spanjën, Gjermaninë, Francën, Anglinë dhe Portugalinë. Janë skuadra me cilësi dhe potencial të jashtëzakonshëm. Por edhe kundërshtarët e tjerë kërkojnë përgatitje dhe vlerësim maksimal.

Shortin nuk e kemi në dorë. Përgatitjen tonë, po. Cilido qoftë grupi, duhet të hyjmë në garë me ambicie, me besim dhe me synimin për ta çuar Shqipërinë sërish në Evropian.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit