Pas fitores 3-1 kundër Luksenburgut kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve ka bërë një paraqitje tejet pozitive në miqësoren kundër Spanjës. Edhe pse në ‘Air Albania’ pas 90 minutash rezultati shënoi 0-0, për kuqezinjtë ishte një provë dinjitoze përballë superfuqisë së Evropës.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë. Kemi luftuar me shumë dëshirë, zemër, karakter. Duhet të punojmë edhe më fortë që të jemi gati për Evropianin,”-u shpreh Dario Daka, futbollist i Kombëtares U-21.
"Ishte një ndeshje shumë e fortë pasi kundërshtari ishte i klasit botëror. Do na shërbejë shumë në evropian, pasi ekipet atje besoj se janë si Spanja,”-tha Ergis Arifi, futbollist i Kombëtares U-21.
"Është kënaqësi që lozëm kundër tyre. Dhe kënaqësi tjetër është që kishte kaq shumë tifozë në stadium. Ne na ndihmon shumë se ky do të jetë niveli që do të përballemi në Evropian,"-deklaroi Erald Maksuti, futbollist i Kombëtares U-21.
“Besoj se kemi bërë ndeshje shumë pozitive. Jam shumë i kënaqur për zemrën dhe karakterin e fortë që treguam gjatë gjithë ndeshjes. Spanja është një ndër ekipet më të forta në botë,”-u shpreh Simon Simoni, portier i Kombëtares U-21.
“Skuadra performoi shumë mirë. Treguam karakter, agresivitet. Mendoj se kemi dalë shumë mirë edhe pse rezultati nuk ishte ai që kërkonim sepse donim fitoren,”-tha Feta Fetai, futbollist i Kombëtares U-21.
Këto miqësore zhvillohen me qëllim përgatitjen sa më mirë të kombëtares U-21 për Evropianin që do të mbahet në qershor në Shqipëri dhe Serbi.
“Unë falenderoj çunat, tifozët dhe stafin. Luftuam shumë duke dhënë edhe pikën e fundit të djersës. Patëm momentet tona për t’i ndëshkuar dhe besoj se ndikoi pak edhe lodhja me Luksenburgun. Djemtë kanë bërë me përpikmëri ato gjëra që kemi përgatitur në stërvitje. Nuk na janë futur asnjëherë në zonë, duke ditur edhe nivelin që ka Spanja,”-deklaroi Alban Bushi, trajner i Kombëtares U-21.
Janë mësuar ndërkohë 16 përfaqësueset që do të jenë pjesëmarrëse në Evropian. Përveç Shqipërisë dhe Serbisë si organizatore janë kualifikuar Anglia, Italia, Franca, Kroacia, Norvegjia, Portugalia, Spanja, Gjermania, Belgjika, Polonia, Greqia, Çekia, Finlanda dhe Holanda.









Komente
Komento