Qeveria shqiptare ka kërkuar të blejë dy sisteme të lëvizshme raketore HIMARS dhe pajisje shoqëruese nga Shtetet e Bashkuara, në një paketë me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh që parashikohet të financohet me kredi amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të martën, më 17 nëntor, se kishte miratuar shitjen e mundshme dhe kishte njoftuar Kongresin. Sipas njoftimit, Shqipëria do të përdorë fonde kredie nga programi amerikan i financimit ushtarak për vendet e huaja, i njohur si FMF. Njoftimi nuk jep shumën apo kushtet e kredisë dhe as afatin e dorëzimit të pajisjeve.
Kërkesa e Shqipërisë përfshin dy sisteme M142 HIMARS, gjashtë kontenierë me raketa të drejtuara M31A2 dhe gjashtë me raketa M30A2. Paketa përfshin gjithashtu tetë sisteme taktike për përpunimin e të dhënave të artilerisë, dy automjete ushtarake të tipit Humvee, pajisje komunikimi, municione stërvitore, pjesë këmbimi dhe trajnim.
Departamenti i Shtetit tha se sistemet do t’u mundësonin Forcave të Armatosura të Shqipërisë të kryenin goditje me precizion në distancë të gjatë dhe do të rrisnin kontributin e vendit në planet e mbrojtjes së NATO-s. Sipas vlerësimit amerikan, shitja e propozuar nuk do ta ndryshonte ekuilibrin ushtarak në rajon.
Kompania amerikane Lockheed Martin do të ishte kontraktori kryesor. Nëse shitja realizohet, deri në 15 përfaqësues të qeverisë amerikane dhe deri në 15 përfaqësues të kompanisë do të udhëtonin në Shqipëri rreth dy herë në vit për të ndjekur ecurinë e programit, për të ndihmuar në vënien në përdorim të pajisjeve dhe për të trajnuar personelin.






