Bordi i Paqes, i krijuar me iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin e përfundimit të luftës në Gaza, ka kritikuar si Izraelin, ashtu edhe Hamasin, duke i akuzuar të dyja palët se nuk kanë përmbushur angazhimet e marra në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit.

Në raportin e tij të fundit, të dorëzuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bordi paraqet një vlerësim shqetësues të situatës, duke paralajmëruar se marrëveshja e armëpushimit, e cila hyri në fuqi në tetor të vitit 2025, ndodhet në rrezik serioz.

AD PLACEHOLDER

Sipas raportit 12-faqësh megjithëse luftimet në shkallë të gjerë janë ndalur, sulmet izraelite vazhdojnë, ndërsa aktiviteti ushtarak i Hamasit dhe mosmarrëveshjet për çarmatosjen e tij kanë penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Një nga pengesat kryesore mbetet tërheqja e trupave izraelite nga territori palestinez. Izraeli këmbëngul se nuk do të tërhiqet përpara çarmatosjes së Hamasit, ndërsa ky i fundit ka pranuar një plan për dorëzimin e armëve dhe transferimin e administrimit të Gazës te një autoritet civil.

Raporti kritikon gjithashtu Izraelin për vonesat në miratimin e strukturave të përkohshme administrative palestineze dhe për kufizimet ndaj hyrjes së materialeve humanitare, përfshirë pajisjet e nevojshme për përballimin e dimrit.