Fillimisht u ndërprenë shërbimet e postës elektronike (Microsoft Outlook). Më pas, avionët u ndaluan të fluturonin. Chase bank pati pati probleme dhe së fundmi, një agjenci spiunazhi NSA po përballet me probleme kompjuterike.
Nuk është e nevojshme të jesh paranojak për të filluar të lidhësh pikat, edhe kur nuk ka asnjë tregues se këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Pasi agjentët e inteligjencës artificiale zbuluan dobësi në gjuhën e programimit PHP, mbi të cilën mbështetet 70% e infrastrukturës së internetit në botë, muajin e kaluar, kryeministri britanik Andy Burnham u bëri thirrje qytetarëve që të grumbullonin ujë dhe furnizime të nevojshme për t'i përballuar tre ditë në rast emergjence.
CNN vë në dukje në një analizë se lajmet për çdo ndërprerje shërbimi kanë një efekt zinxhir, që përforcohet nga rrjetet sociale dhe algoritmet. Pra, nëse filloni të kërkoni lajme për defekte dhe ndërprerje, do të filloni të shihni gjithnjë e më shumë lajme të tilla.
Rrjetet sociale arritën muajin e fundit deri aty sa të shpiknin teorinë se brenda 17 nëntorit do të afrohej dita katastrofike ‘doomsday’.
Eskpertë të cituar nga CNN thonë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh një defekt teknik nga një sulm kibernetik.
Qeveria amerikane zhvilloi të martën një test të planifikuar prej kohësh të transmetimit të mesazheve të emergjencës, i cili ishte vetëm një test! Por kjo përforcoi idenë se po jetojmë në kohë të pasigurta, paçka se testi i sistemit të alarmit emergjent ishte planifikuar të zhvillohej pas Ditës së Zgjedhjeve, pikërisht për të shmangur nxitjen e teorive konspirative.
Asnjëra prej këtyre ngjarjeve nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me tjetrën, por të gjitha nxjerrin në pah rreziqet që vijnë nga fakti se pothuajse çdo gjë sot varet nga një lidhje interneti.
Donald Trump, u tha gazetarëve të martën, gjatë vizitë në Filipine për rënien e sistemeve se “kur je i madh dhe i fuqishëm dhe ke shumë para, ndodhin gjëra të tilla dhe se çdo gjë ishte nën kontroll.
Jacob Ward, bashkëpunëtor i CNN-it dhe gazetar i teknologjisë, del kundër idesë se këto defekte të ndryshme janë të lidhura drejtpërdrejt me njëra-tjetrën.
"Aty ku shumica e njerëzve shohin një konspiracion, pothuajse gjithmonë ndeshem me paaftësi dhe keqmenaxhim", tha Ward të martën në transmetimet e CNN.
Sipas tij SHBA po kërkon gjithnjë e më shumë, nga një infrastrukturë që po vjetrohet.
"Dhe tani, kur përpiqemi të bëjmë diçka kaq rutinë, siç është një përditësim i zakonshëm, del jashtë funksionit gjithë sistemi", tha Ward.
NSA-ja tha se ndërprerja e shërbimeve të saj nuk dukej të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik dhe se ekzistojne sisteme rezervë që sigurojnë që kapacitetet kritike për misionin të mos preken.
Ndalimi i fluturimeve nga FAA-ja u gjurmua deri te përpjekjet për të zëvendësuar kabllot prej bakri me kabllo me fibra optike, si dhe te një ruter me defekt në Arkansas, që ngatërroi sistemet në të gjithë Amerikën.
Ndërprerja e shërbimeve për disa klientë të bankës Chase u shpjegua nga vetë kompania si një gabim në softuer.
Microsoft deklaroi se ndërprerja e fundit e shërbimit të postës elektronike ishte rezultat i një përmirësimi të kapacitetit të rrjetit që shkoi keq.
Të gjitha këto shpjegime duken të besueshme. Por, duket pak e mundshme që ato të jenë të mjaftueshme për të qetësuar njerëzit, burimet e lajmeve të të cilëve janë të mbushura vazhdimisht me alarm dhe skenarë apokaliptikë.








Komente
Komento