Shefi i ushtrisë iraniane deklaroi të mërkurën se përgjigjja e Teheranit ndaj çdo sulmi të ri nga Shtetet e Bashkuara do të jetë "më shkatërruese" dhe do të jetë e drejtuar si kundër forcave amerikane, ashtu edhe kundër aleatëve të tyre. "Nëse armiku bën gabim dhe përsërit veprime që më parë e kanë çuar atë në dëshpërim, përgjigjja jonë, e drejtuar si kundër armikut, ashtu edhe kundër mbështetësve të tij, pa dyshim që do të jetë edhe më shkatërruese dhe nuk do të njohë kufij gjeografikë," tha Amir Hatami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve "Fars". Të mërkurën, Bahreini dhe Kuvajti njoftuan se kishin zmbrapsur sulme ajrore të drejtuara ndaj tyre, pas sulmeve amerikane të një dite më parë kundër një ishulli iranian në ngushticën e Hormuzit. Ushtria iraniane deklaroi se kishte vënë në shënjestër instalimet e dronëve dhe raketave amerikane në bazën "Ali Al Salem" në Kuvajt, pasi ky aleat i SHBA-së njoftoi se mbrojtja e tij ajrore po përballej me sulme nga dronë armiqësorë. Ky ishte sulmi i parë iranian ndaj këtij vendi të pasur me naftë që nga muaji shtator. Bahrejni fqinj njoftoi se kishte ndaluar sulme ajrore iraniane për herë të tretë brenda kësaj jave. Ai akuzoi Teheranin se ndjek një "qasje sistematike armiqësore" ndaj vendit, i cili strehon Flotën e Pestë të Marinës së SHBA-së. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër lëvizjes Houthi (të lidhur me Iranin) në Jemen, deklaroi se ka shkatërruar një raketë lundruese të lëshuar nga këto forca në drejtim të Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite. Të martën, në anën tjetër të Gjirit, avionë luftarakë amerikanë goditën një vend-lëshimi raketash të Gardës Revolucionare në ishullin Qeshm, bëri të ditur një zyrtar ushtarak amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti. Zyrtari tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër personelit dhe aseteve amerikane.