Albin Kurti hap thesin për lobim në Uashington, 600 mijë $ për një vit tek “Ballard Partners”
Qeveria e Albin Kurtit do të paguajë 600 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja është lidhur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e drejtuar nga Glauk Konjufca, e cila ka kontraktuar firmën e njohur amerikane “Ballard Partners, Inc.”.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së (FARA), kontrata ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026 dhe do të zgjasë për një periudhë njëvjeçare.
Kjo lëvizje e qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti synon forcimin e pranisë dhe ndikimit të Kosovës pranë administratës dhe institucioneve federale në Uashington, në një moment kyç për zhvillimet gjeopolitike në rajon.
Detajet e marrëveshjes dhe objektivat
Kontrata parashikon që firma amerikane t’i ofrojë Kosovës këshillim strategjik dhe avokim për çështje gjeopolitike pranë institucioneve në Uashington.
Sipas dokumentacionit të dorëzuar në FARA, angazhimi i saj do të fokusohet në lobimin e drejtpërdrejtë pranë zyrtarëve amerikanë për mbrojtjen e interesave të vendit, menaxhimin e perceptimit publik përmes materialeve informative, si dhe hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit dypalësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës
Kostoja financiare
Sipas klauzolave të kontratës së nënshkruar, angazhimi i “Ballard Partners” do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 50,000 dollarë në muaj, ose 600,000 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e kontratës.

Pagesat janë strukturuar në këste tremujore prej 150,000 dollarësh, ku kësti i parë është paguar menjëherë me nënshkrimin e marrëveshjes.
Përveç tarifës bazë, kontrata parashikon që MPJD-ja të mbulojë edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit (bileta avioni, akomodim, transport) dhe tarifat e regjistrimit, me kusht që ato të miratohen paraprakisht me shkrim.
Dokumentet tregojnë se pika kryesore e kontaktit dhe koordinimit mes firmës lobuese dhe shtetit të Kosovës në SHBA do të jetë Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli. Marrëveshja është lidhur për një afat fillestar prej një viti, me mundësi rinovimi me pëlqimin e dyanshëm të palëve./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



