Vendosni fjalën kyçe....

Bordi i Transparencës ul çmimet e karburanteve, nafta 204 lekë dhe benzina 163 lekë/litri


Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve, në fuqi nga ora 13:30 e datës 18 nëntor.

Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me pakicë me jo më shumë se 204 lekë/litri, nga 210 lekë që ishte më parë, ndërsa benzina do të shitet me jo më shumë se 163 lekë/litri, nga 169 lekë.

Edhe çmimi i gazit për automjetet është përcaktuar në 71 lekë/litri për shitjen me pakicë dhe 59 lekë/litri për shitjen me shumicë. Ndërkohë, gazoili për aktivitetin e peshkimit do të kushtojë 109 lekë/litri.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  18 Nëntor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 204  lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  192  lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 163 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 151 lekë/litër.

Cmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë  59 lekë/litër për automjetet.

Gjithashtu, çmimi i gazoilit  për aktivitetin e peshkimit do të jetë 109 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 18 ora  13.30  dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.