Lionel Scaloni nuk e përjashton mundësinë që Lionel Messi t’i bashkohet stafit teknik të kombëtares së Argjentinës pas përfundimit të karrierës si futbollist. Përzgjedhësi i kampionëve të botës ka bërë të qartë se legjenda argjentinase do të jetë gjithmonë e mirëpritur, pavarësisht rolit që dëshiron të marrë në të ardhmen.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të Messit në kombëtare në një detyrë drejtuese, Scaloni u shpreh se shpreson që ylli argjentinas të vazhdojë të luajë sa më gjatë.
“Besoj se ai do të vazhdojë të luajë dhe ndoshta mund ta bëjë këtë edhe pas vitit 2030. Ai ka thënë tashmë se nuk do të rikthehet në kombëtare, por shpresoj që ta vazhdojë karrierën si futbollist për aq kohë sa të jetë e mundur. Nëse dëshiron të bashkohet me ne, nuk ka asnjë problem”, deklaroi Scaloni.
Trajneri argjentinas iu referua edhe largimit të ndihmësit Walter Samuel nga stafi teknik, duke bërë një koment domethënës: “Tani që Walter është larguar, ai mund të vijë”.
Messi, 39 vjeç, i dha fund aventurës me kombëtaren tetorin e kaluar, pas 208 ndeshjeve dhe 126 golave me fanellën e Argjentinës. Ai la pas një trashëgimi historike, të kurorëzuar me triumfin në Kupën e Botës.
Megjithatë, ylli argjentinas vazhdon karrierën te Inter Miami, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028.
