Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe mazhorancën socialiste për ndryshim qëndrimi nën presionin e protestave.
Blushi i kujtoi ministrit se vetëm pak muaj më parë socialistët rrëzuan propozimin e Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së së ushqimeve të shportës nga 20% në 5%, ndërsa sot vijnë me një nismë për uljen e saj.
“Çfarë ndryshoi në këto muaj? Sigurisht që protesta ju detyroi”, deklaroi Blushi, duke kërkuar ndjesë publike nga ministri.
Ai akuzoi Malajn edhe për ndryshimin e qëndrimit ndaj heqjes së taksës së qarkullimit, duke kujtuar se qeveria kishte votuar kundër propozimit të Partisë së Lirisë vetëm gjashtë muaj më parë.
“Dua të pyes zotin Malaj të para 6 muajve dhe zotin Malaj pas këtyre 6 muajve, që të njëjtin qëndrim ndaj një projektligji detyroheni ta lëpini”, u shpreh Blushi.
Fjala e tij:
Kam disa pyetje për ministrin e Financave. Partia e Lirisë, dikur Lëvizja Socialiste për Integrim, në vitin 2017 ka depozituar projektligjin për uljen e TVSH-së së ushqimeve të shportës nga 20 për qind në 5 për qind.
Pak muaj më parë, ju, zoti ministër, e hodhët poshtë këtë projektligj, ju personalisht, edhe deputetët e Partisë Socialiste, me pretendimin se ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës do të kolapsonte buxhetin dhe nga do e di unë, marrëzira të tjera.
Tani, çfarë ndryshoi në këto muaj që ndryshuat qëndrim? Sigurisht që protesta ju detyroi ta ndërmerrnit, por unë dua një përgjigje nga ju.
Pra, vetëm pak muaj më parë, ju e hodhët poshtë propozimin e Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së nga 20 për qind në 5 për qind, dhe jeni po ju që vini këtu me nismën për uljen e TVSH-së së shportës. Pra, do të kërkoni ndjesë për qëndrimin e mbajtur pak muaj më parë?
Së dyti, dua t'ju pyes: Si ka mundësi që jemi ende vendi që kemi taksat më të larta? Si shpjegohet që, për të ardhurat, mbledhjen e të ardhurave në raport me prodhimin, jemi vendi i fundit në rajon?
Serbia, që ju pëlqen tani të krahasoheni, mbledh gati 4 miliardë lekë, të cilat ju i vidhni, tatime, dogana, evazion fiskal, rreth gati gjysma e buxhetit që sot sillni për miratim.
Si ka mundësi që eksportet kanë rënë me 30 për qind, kur Serbia, me të cilën ju preferoni sot të krahasoheni, i ka rritur importet me gati një të tretën, dhe sot importojmë nga Serbia edhe ushqimet për kafshët?
Si ka mundësi që sot një pensionisti i duhen 100 vite plus jetë që të ketë një nivel pensioni të barabartë me mesataren e pensionit të vendeve të Bashkimit Europian, në rast se pensionet në këto shtete nuk rriten fare? I duhen edhe 100 vite jetë.
Si ka mundësi që mielli, vaji, orizi, perimet në import janë 5 për qind shtrenjtuar, diku edhe janë liruar me gati 15 për qind, kur ndërkohë në tregun vendas këto produkte shiten nga 40 për qind deri në 70 për qind më shtrenjtë?
Dhe dua t'ju sjell në vëmendjen tuaj: këtë fakt e ka bërë publik edhe ish-zëvendësministrja socialiste, Irena Beqiraj.
Pyetja tjetër: Si ka mundësi që kjo qeveri nuk ka asnjë politikë për nxitjen e lindshmërisë? Sërish e marr si shembull Serbinë, me të cilën nuk krahasohesh dot. 27 mijë euro jep për fëmijën e katërt Serbia. Se sa jepni ju, besoj e keni të qartë.
Dhe pyetja e fundit, për çmimin e karburanteve. Po grupi parlamentar i Partisë së Lirisë, vetëm 5-6 muaj më parë, solli në këtë Kuvend projektligjin për heqjen e taksës së qarkullimit dhe karbonit. Ju vetë, si ministër, por edhe si deputet, votuat kundër, dhe tani, sot, vini me propozimin për heqjen e taksës së qarkullimit. Dua të pyes zotin Malaj të para 6 muajve dhe zotin Malaj pas këtyre 6 muajve, që të njëjtin qëndrim ndaj një projektligji detyroheni ta lëpini.
© SYRI.net
‘120 mln euro për pagat e patronazhistëve bashkisë për zgjedhje’/ Korreshi: Spitali Lushnjë ka nevoja ulëritëse…
‘Seanca e pafytyrësisë’, Strazimiri: Rama dhe ministrat duhet të jenë këtu, të tregojnë si do vjedhin paratë e shqiptarëve
Berisha: Mbrojtja që po u bën SPAK-u i partisë nuk do vazhdojë gjatë, protesta shuhet vetëm kur të ikë Edi Rama