Pensionistët në Durrës sorollaten në radhë, në sportele u thonë: Nuk ka para, kthehuni nesër

18/11/2026 13:28

Radhë dhe pritje të gjata përsëriten çdo ditë në filialin e Postës Shqiptare në zonën e Plazhit në Durrës, ku pensionistët përballen me vështirësi për të tërhequr pensionin e tyre.

“Jo vetëm aty dhe në lagje të tjera të Durrësit, situata është e ngjashme”, shprehet një pensionist.

Sipas pensionistit që përmes videos së dërguar ngre shqetësimin, fondi ditor i parave në sportel përfundon pa mundur të marrin të gjithë atë që  u takon.  Përgjigjja që marrin është se nuk ka më para dhe duhet të kthehen ditën tjetër. Kështu, shumë prej tyre detyrohen të rikthehen sërish në radhë, pa asnjë garanci se do të arrijnë ta marrin pensionin.

Në radhë nuk janë vetëm pensionistët që kanë datën e tërheqjes së pensionit, por edhe ata të datave të mëparshme, të cilët nuk kanë mundur të marrin paratë në ditën e caktuar.

Pritja bëhet edhe më e vështirë pasi të moshuarit vuajnë dhe nga sëmundje kronike, po pavarësisht gjendjes shëndetësore, duhet të qëndrojnë në radhë për të marrë të ardhurat e tyre mujore.

Sipas tyre, ky është një problem që përsëritet dhe që i detyron të humbasin kohë e të përballojnë lodhjen për të marrë pensionin që u takon.

Filiali i Postës Shqiptare në Durrës, sipas tyre, duhet të reagojë lidhur me fondin ditor që nuk përballon fluksin e pensionistëve dhe nëse do të ketë masa për të shmangur radhët dhe kthimin e tyre ditë pas dite.

Top Channel