Në Shqipëri u regjistruan 1,755 biznese të reja gjatë tetorit 2026, nga të cilat 290, ose 16.5% e totalit, kanë pjesëmarrje të kapitalit të huaj. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), më shumë se gjysma e subjekteve të reja u hapën në Tiranë, ndërsa tregtia mbetet sektori me numrin më të madh të regjistrimeve.
Nga bizneset e regjistruara, 1,465 janë me pronësi tërësisht shqiptare, 272 me pronësi 100% të huaj dhe 18 me kapital të përbashkët shqiptar dhe të huaj.
Pjesa më e madhe e subjekteve të reja janë regjistruar si persona fizikë, gjithsej 1,263, ose rreth 72% e totalit. Ndërkohë, janë regjistruar 484 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, tri degë të shoqërive të huaja, dy shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, dy shoqëri të thjeshta dhe një shoqëri aksionare.
Tiranakryeson me 1,019 subjekte të regjistruara gjatë tetorit, ndjekur nga Durrësi me 214, Vlora me 119, Fieri me 92 dhe Elbasani me 77 biznese të reja.
Sa u përket sektorëve, tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, renditet e para me 425 regjistrime. Në vendin e dytë është akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 188 biznese, i ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 169 dhe ndërtimi me 162 subjekte të reja.
543 biznese, ose rreth 31% e regjistrimeve të tetorit, administrohen nga gra.
Gjatë të njëjtit muaj, QKB administroi gjithsej 11,248 aplikime në tre regjistrat e saj. U regjistruan gjithashtu 190 leje dhe licenca, si dhe 512 subjekte në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.









Komente
Komento