Buxheti 2027/ Malaj në Kuvend: Lehtësi fiskale për qytetarët, ndryshime në TVSH dhe dividendin
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka dhënë sqarime në Kuvend lidhur me ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027, duke u ndalur te ulja e TVSH-së për produktet e shportës, pragu i TVSH-së dhe taksa mbi dividendin.
Malaj deklaroi se ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës synon të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ndërsa për uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë, ministri tha se ndryshimi vjen edhe në përgjigje të kërkesave të organizmave ndërkombëtarë, veçanërisht Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ai theksoi se fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut, pasi do të përjashtohen nga kjo masë.
Sa i përket dividendit, Malaj sqaroi se norma prej 15% do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Sipas tij, vendimet për shpërndarjen e fitimeve të pashpërndara deri në dhjetor do të tatohen me normën aktuale prej 8%, ndërsa vendimet pas kësaj date do t’i nënshtrohen normës së re.
““Në lidhje me pyetjet e Shehajt. Ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve me të ardhura të ulëta e të mesme. Ndërkohë në lidhje me pyetjen për pragun e TVSH-së dhe uljes së saj nga 10 milionë në 5 milionë, vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe konkretisht FMN-së. Pragu ishte ndër më të lartët në Europë. Pragu i TVSH-së nga viti 1996 e deri më sot ka ndryshuar 8 herë. Çështja e pragut të TVSH-së është një çështje e trajtuar prej vitesh.
Në lidhje me pyetjet e Tabakut, përsa i përket çështjes së konsultimit publik të kësaj pakete fiskale, është bërë me këshillin tatimor, anëtarë të të cilit janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit. Lidhur me çështjen e dividentit se kur hyn në fuqi, hyn në 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarje të fitimeve të pashpërndara pas datës 1 janar 2027 do të trajtohet me normën e dividentit 15%. Ndërsa çdo vendim deri në dhjetor do të trajtohet me 8%. Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Do të përjashtohen nga pjesa e uljes së këtij pragu. Çështja e pragut rregullohet me VKM. Përsa i përket rindërtimit, për vitin 2027 janë planifikuar 2 miliardë lekë. Më pak se vitin e kaluar, pasi kemi 7.4 miliardë lekë fonde të trashëguara nga vitet e kaluara. Rindërtimi është një proces që po ecën përpara, por është një proces që varet nga qeveria vendore dhe jo nga ajo qëndrore”, tha Malaj.




