Mbi 10 mld euro të ardhura dhe sfida e zbatimit, çfarë premton buxheti historik 2027

Ekonomi | 1 minutë më parë

Me mbi 10 miliardë euro të ardhura dhe pak më tepër shpenzime, buxheti i vitit të ardhshëm ka hyrë në termat historikë të vendit. Zv.ministri i Financave ndan mes sfidave të hartimit dhe atyre që do të shfaqë zbatimi i tij, duke konsideruar edhe përballimin e skenarëve ekonomikë më pak të favorshëm dhe sidomos borxhin publik.

“Në pesë vitet e fundit ne kemi shkuar nga një nivel i borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto mbi 75%, në një nivel që këtë vit do të jetë me shumë gjasa nën 53%, ndoshta edhe pak më pak”, tha zv.ministri Endrit Yzeiraj.

Aspekti që do ta bënte po ashtu historik buxhetin 2027, ai i uljes së TVSH-së për 54 produkte të shportës me 14 pikë përqindjeje, sfidohet gjithashtu nga një pasqyrim relativ te çmimet.

“Ne kemi bërë disa simulime. Çdo reduktim me më shumë se 10% ne do ta konsideronim një përcjellje relativisht të suksesshme të masës. Çdo reduktim me më pak se 5% do të ishte një përcjellje jo e kënaqshme e masës, ndërsa një përcjellje me 5 deri në 10%, pra një reduktim nga 5 deri në 10%, do të ishte një sukses i ndërmjetëm”, tha ai.

Ndërkohë që investimet publike janë parashikuar rreth 6,9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një aspekt tjetër veprues, ai i klimës së investimeve në frymën e favorshmërisë që ofron vendi, mbetet nën presionin e fashës që ka rajoni, por edhe të detyrimeve të integrimit.

“Rritjet, le të themi, të detyrimeve që ne kemi bërë këtë vit, në një farë mënyre janë ndryshime që na përafrojnë qoftë me vendet e rajonit, qoftë me nivelet minimale të direktivave të Bashkimit Europian”, tha ai.

Ndërsa sigurimet shoqërore janë parashikuar rreth 10,6% më shumë se në vitin 2026. Sfida që vjen nga një e treta e popullsisë është ajo e mjaftueshmërisë.

“Dikur ky raport ka qenë katër apo pesë punonjës për një pensionist. Sot kudo në Europë ky raport është nën dy prej vitesh tashmë dhe, duke filluar që nga viti aktual, edhe me një fond të përcaktuar që në fillim të vitit, ne po mbështesim fondin e pensioneve me pjesën tjetër të burimeve buxhetore”, u shpreh Yzeiraj.

Për zv.ministrin e Financave, nga ana tjetër, grupet e interesit dhe të tjerë nuk kanë qenë të përjashtuar nga informimi paraprak, njëkohësisht me faktin tjetër që në komisione nuk u kërkuan gjëra të panjohura për hartuesit e buxhetit.

“Pra, ishte thënë me kohë që, sidomos drejt vitit 2029, sa më shumë afroheshim me procesin e anëtarësimit, aq më shumë do të rritej presioni ndaj nesh për të bërë disa ndryshime dhe për të pasur kuadrin tatimor në përputhje me regjimet që përcakton Bashkimi Europian”, tha Yzeiraj.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme