Bota

Italia miraton ligjin kundër antisemitizmit, opozita proteston: Synon të heshtë kritikat ndaj Izraelit

Parlamenti italian ka miratuar një ligj të ri kundër antisemitizmit, por vendimi ka shkaktuarpërplasje mes qeverisë së Giorgia Melonit dhe opozitës së majtë, e cila paralajmëron se ligji mund të përdoret për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve.

Ligji u miratua mbrëmjen e së martës me 147 vota pro dhe 93 kundër. Ai përfshin përkufizimin e antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA), i cili rendit edhe disa forma të kritikës ndaj Izraelit si shembuj të sjelljeve antisemite.

“E djathta po e shfrytëzon ligjin kundër antisemitizmit për të mbytur kritikat”, deklaroi Angelo Bonelli, bashkëkryetar i grupit parlamentar të Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës.

Koalicioni qeverisës i hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se ligji është i nevojshëm për të luftuar dhunën dhe diskriminimin ndaj hebrenjve.

“Askush nuk ka synuar ndonjëherë të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kritikës, e cila është themeli i demokracisë sonë”, deklaroi deputeti i Forza Italia, Paolo Emilio Russo.

Ligji nuk parashikon gjoba apo sanksione penale. Miratimi i tij nxori në pah edhe përçarjet brenda opozitës, pasi disa deputetë të Partisë Demokratike abstenuan, pavarësisht udhëzimit të drejtuesve për të votuar kundër.

Presidentja e Unionit të Komuniteteve Hebraike Italiane, Livia Ottolenghi, e përshëndeti vendimin.

“Lufta kundër antisemitizmit nuk është një betejë partiake, por një betejë e të gjithë shoqërisë dhe nuk mund t’u nënshtrohet përkatësive politike”, tha ajo.

Miratimi vjen pas rritjes së incidenteve antisemite në Itali që nga fillimi i luftës në Gaza. Sipas Observatorit Italian për Antisemitizmin, në vitin 2025 u regjistruan 963 incidente, pothuajse katër herë më shumë se në vitin 2022.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.