Nufi në Forumin Schuman në Bruksel: Siguria kërkon partneritete të besueshme dhe veprime konkrete
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka marrë pjesë në edicionin e tretë të Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, që po zhvillohet në Bruksel, ku në fokus është bashkëpunimi ndërkombëtar për përballimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.
Gjatë sesionit plenar me temë “Siguria globale në një mjedis në ndryshim: Partneritete të besueshme për një të ardhme më të sigurt”, Nufi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aleatëve dhe përgjegjësisë së përbashkët për garantimin e sigurisë.
“Në një realitet gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, siguria jonë e përbashkët kërkon më shumë se angazhime politike. Ajo kërkon partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprim konkret”, u shpreh ministri.
Nufi u ndal edhe te forcimi i bashkëpunimit transatlantik, koordinimi NATO-BE dhe nevoja për një mbrojtje europiane që plotëson dhe forcon Aleancën.
Duke iu referuar agresionit rus kundër Ukrainës dhe sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ministri theksoi se siguria e vendeve është e pandashme.
“Shqipëria do të vijojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit europian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik”, deklaroi Nufi.
Forumi Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen organizohet nga Shërbimi Europian për Veprimin e Jashtëm (EEAS) dhe përbën një platformë të nivelit të lartë për dialogun politik dhe strategjik mbi çështjet e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes.
Edicioni i tretë i këtij forumi ka mbledhur në Bruksel përfaqësues politikë dhe vendimmarrës nga më shumë se 85 vende partnere, përfaqësues të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, institucioneve europiane, organizatave ndërkombëtare, si dhe ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të botës akademike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




