Studentët që ndjekin studimet në ciklin e dytë, Master, në universitetet publike po përballen me probleme lidhur me përfitimin e bursave të premtuara nga qeveria për studentët që vijnë nga familje të trajtuara me ndihmë ekonomike.
Një student ka ngritur shqetësimin se, pavarësisht njoftimeve për përfitimin e bursave, studentët e Masterit ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, kur paraqiten për të kërkuar informacion, u thuhet se nuk kanë mbërritur shkresat zyrtare dhe fondet përkatëse, ndërsa në disa raste u është komunikuar se për ciklin e dytë të studimeve nuk parashikohen bursa.
Ndërkohë, dokumentacioni për përfitimin e bursave është dorëzuar nga studentët e ciklit Bachelor, ndërsa studentët e Masterit vijojnë të jenë në pritje të një përgjigjeje.
Problematika rëndohet edhe më shumë nga oraret e studimit, të cilat janë të shpërndara mes paradites dhe pasdites, duke ua bërë të vështirë studentëve mundësinë për të punuar dhe për të përballuar shpenzimet e jetesës dhe studimeve.
Studenti thotë se prej rreth dy javësh mësimi po zhvillohet rregullisht, por ende nuk ka një informacion të qartë se kur dhe nëse do të përfitojnë bursën.
Përmes këtij shqetësimi publik, studentët kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse dhe zbatimin e skemës së mbështetjes financiare, në mënyrë që edhe ata që ndjekin studimet Master të mos mbeten jashtë kësaj mbështetjeje.
Deri tani, pyetja që kërkon përgjigje mbetet: A do të përfitojnë bursë edhe studentët e Masterit nga familjet në ndihmë ekonomike, apo premtimi ishte thjesht sa për sy e faqe?/ JOQ












