Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian për përballimin e sfidave të sigurisë, nga lufta në Ukrainë te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Mesazhin e përcolli gjatë Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, të organizuar nga Bashkimi Evropian më 18 nëntor në Bruksel.
Gjatë fjalës në sesionin plenar mbi sigurinë globale dhe partneritetet ndërkombëtare, Nufi theksoi se angazhimet politike nuk mjaftojnë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë, duke nënvizuar nevojën për partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprime konkrete.
“Në një realitet gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, siguria jonë e përbashkët kërkon më shumë se angazhime politike. Ajo kërkon partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprim konkret”, deklaroi ministri.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe të një mbrojtjeje evropiane që plotëson NATO-n, Nufi u ndal edhe te situata e sigurisë në rajon.
“Nga agresioni rus kundër Ukrainës te sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, realiteti dëshmon se siguria e vendeve tona është e pandashme”, u shpreh ai.
Ministri konfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke theksuar se vendi do të vijojë të mbështesë bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.
“Shqipëria do të vijojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit evropian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik”, tha Nufi.
Forumi Schuman, i organizuar nga Shërbimi Evropian për Veprimin e Jashtëm, mblodhi në Bruksel përfaqësues nga më shumë se 85 vende partnere, 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të sigurisë.