Kërkohet konfiskimi i 9.1 mln eurove, pasuritë, apartamente dhe biznese i përkasin grupit të “Visit të Pojës”
9.1 milionë euro pasuri janë në shënjestër të SPAK-ut. Apartamente, biznese, makina luksoze dhe prona në Durrës e Vlorë, të lidhura me grupin e Adi Çobës dhe Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, janë identifikuar nga hetimet pasurore.
Në kuadër të procedimit të vitit 2025, SPAK-u ka kërkuar konfiskimin e pasurive që dyshohet se nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash. Bëhet fjalë për 24 prona të paluajtshme, tri automjete luksoze dhe kuota në katër kompani e një subjekt fizik. Vlera e tyre, sipas çmimeve aktuale të tregut, arrin në rreth 9.1 milionë euro. Pasuritë dyshohet se fshiheshin në emrat e familjarëve dhe të afërmve të këtyre dy personave, apo anëtarëve të tjerë të grupit kriminal që u godit në kuadër të dosjes Ura mes SPAK-ut dhe autoriteteve të huaja.
Por pasuria disa milionë euro nuk është i vetmi element që rëndon mbi emrat e Çobës dhe Visit të Pojës. Adi Çoba shfaqet në dosjen e drejtësisë italiane si një prej organizatorëve kryesorë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe heroinës drejt Italisë, trafik që e drejtonte së bashku me Visin e Pojës.
Sipas hetimeve, Çoba koordinonte aktivitetin kriminal nga Shqipëria, ndërsa në këtë rrjet rol kishte edhe Elvis Doçi. Komunikimet në Sky ECC dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, janë ndër provat e përmendura në hetimet për këtë grup.
Nga dyshimet për trafikun ndërkombëtar të drogës, te 9.1 milionë euro pasuri të identifikuara në Shqipëri. SPAK-u tashmë synon t’u marrë asetet që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal, ndërsa vendimi përfundimtar për konfiskimin i takon gjykatës.
/vizionplus.tv




